Aksidentohet rëndë në fabrikën e pasurimit të minierës së Krastës 27-vjeçari, dërgohet me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi ka gjymtim serioz të krahut.
Merret nën procedim penal administratori i fabrikës së pasurimit të kromit, B.L., 64 vjeç, banus në Burrel.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme dhe policia vendore e Bulqizës njoftoi se ka nisur hetimet për zbardhjen e dinamikës dhe rrethanave.
Burime zyrtare thanë se punëtori mori ndihmën e parë në spitalin e qytetit dhe më pas u nis drejt Tiranës për mjekimit ë specializuar, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, në ngarkim të shtetasit B.L., 64 vjeç, banues në Burrel, me detyrë administrator i një fabrike të pasurimit të kromit në Bulqizë, pasi ditën e djeshme, gjatë punës në këtë subjekt, është aksidentuar duke dëmtuar krahun, shtetasi I.K., 27 vjeç. 27-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën”, bëri me dije policia vendore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.