Goditi me thikë për vdekje 40-vjeçarin teksa po pinin kafe, ky është autori i vrasjes në Babrru

Personi në foto është autori i dyshuar i vrasjes së 40-vjeçarit Hajdar Ismailgeci në Babrru.

Mësohet se autori Arlind Demushi dhe viktima, Hajdar Ismailgeci, ishin duke pirë së bashku në lokal.

Deri më tani nuk dihen rrethanat se si ka ndodhur sherri mes tyre, që percipitoi deri në përdorimin e thikës.

Ndërkohë, autori i krimit, është arrestuar mbrëmë në Durrës.

Në momentin e prangosjes, 38-vjeçarit iu gjet një çantë me veshjet që ka patur gjatë kryerjes së krimit.

NJOFTIMI I POLICISE
Tiranë/Veprimet e shpejta hetimore zbardhin rrethanat dhe autorësinë e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Babrru. Kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari që dyshohet se vrau me thikë 40-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta me të.

Në momentin e arrestimit, 38-vjeçarit iu gjet një çantë me veshjet që ka patur gjatë kryerjes së krimit. Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e shkakut të vdekjes së shtetasit H. I., 40 vjeç, i cili u gjet mbrëmjen e djeshme, në rrugë, pa shenja jete dhe me plagë të shkaktuara me mjet prerës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimi i autorit të dyshuar.

Pas identifikimit, u bë lokalizimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. D., 38 vjeç, i cili u kap në Durrës dhe u vu në pranga, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DPPSh. Nga hetimet dyshohet se 38-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës, 40-vjeçarin, i cili për pasojë ka humbur jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.