“Shqipëria parajsë”, kolumbiani kërcënonte pr**titutat, u merrte peng familjarët nëse iknin

Një operacion i përbashkët mes Antitrafiqeve të Tiranës dhe autoriteteve kolumbiane ka çuar në zbërthimin e një rrjeti të gjerë ndërkombëtar të prostitucionit, me qendër në Shqipëri dhe degë në disa shtete europiane. Në qendër të hetimeve është identifikuar Lucas Giraldo Betancur, 25 vjeç, shtetas kolumbian, i cili konsiderohet si menaxheri kryesor i rrjetit kriminal në Shqipëri dhe drejtues i faqeve online të prostitucionit “Happy Escort” dhe “Euro Girls”.

Sipas burimeve zyrtare, përmes këtyre platformave, Betancur reklamonte dhjetëra vajza, kryesisht nga Kolumbia dhe vende të tjera të Amerikës Latine, të cilat detyroheshin të ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës. Aktiviteti kriminal nuk ishte i kufizuar vetëm në territorin shqiptar, por ishte shtrirë në të gjithë Ballkanin dhe disa vende të Europës, si Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Gjermania.

Autoritetet shqiptare kanë siguruar deklarimet e të paktën 40 vajzave të huaja, të cilat kanë rrëfyer mënyrën e mashtrimit, trafikut dhe më pas shfrytëzimit për prostitucion në Shqipëri. Betancur rekrutonte vajzat duke u premtuar punë të paguara mirë në Shqipëri, të cilën ua përshkruante si një destinacion luksoz turistik. Ai u financonte udhëtimin dhe sapo mbërrinin, vendoseshin në banesa të përgatitura nga rrjeti kriminal dhe më pas detyroheshin të ushtronin prostitucion.

Në shumë raste, kur vajzat përpiqeshin të tërhiqeshin nga aktiviteti, ato përballeshin me kërcënime dhe presion psikologjik. Më alarmant është fakti se në Kolumbi janë siguruar prova që Betancur dhe bashkëpunëtorët e tij kërcënonin dhe madje merrnin peng familjarët e vajzave, përfshirë nënat dhe motrat e tyre, për t’i detyruar të vijonin aktivitetin kriminal në Shqipëri.

Ndërkohë, autoritetet kolumbiane kanë arrestuar edhe Mario Betancur, babain e 25-vjeçarit, i cili dyshohet si kreu i rrjetit për gjithë Europën. Mario Betancur është një emër i njohur për autoritetet e sigurisë në Kolumbi dhe dyshohet se drejton disa rrjete prostitucioni në vende të ndryshme të Europës. Deri më tani, ndaj tij nuk janë gjetur prova konkrete për përfshirje direkte në veprimtarinë kriminale në Shqipëri.

Operacioni vijon dhe autoritetet shqiptare dhe ato ndërkombëtare janë duke bashkëpunuar për të çmontuar të gjithë strukturën e rrjetit kriminal dhe për të ndihmuar viktimat që kanë rënë pre e mashtrimit dhe shfrytëzimit seksual.