Vëllai i 29-vjeçarit kuksian që u gjet i varur në një tabelë rrugore në Anderlecht të Belgjikës, thotë se ai mund të jetë vetëvrarë për shkak të depresionit.
Teksa mediat e huaja e kanë lidhur vdekjen e Bekim Halilajt me rrjetet e trafikut të kokainës, duke e krahasuar madje dhe me një ekzekutim të stilit të karteleve meksikane, vëllai i tij, Redi Halilaj, duke folur për Top News, i hedh poshtë këto pista.
“Ju lutem medieve të mos nxjerrin lajme të pavërteta. Vëllai im vuante nga depresioni, nuk ka lidhje me situatat e tjera që shkruajnë në media. Në trupin e tij nuk i gjetën shenja dhune. Nuk kemi lidhje me asnjë situatë tjetër”, është shprehur ai.
Bekim Halilaj, besohet se ka udhëtuar nga fshati i tij i lindjes Bicaj, Shqipëri, në Belgjikë nëpërmjet Anglisë.
Trupi i 29-vjeçarit u zbulua më 28 shtator në rrugën unazore të Brukselit në Anderlecht.
Ai ishte varur nga një kabllo pas një tabele trafiku, zyra e prokurorit belg e konsideroi vdekjen të dyshimtë dhe hapi një hetim. Pistën e vetëvrasjes nuk e ka përjashtuar as prokuroria belge.