Vrasja e Edmir Bregut, Lala: Ja roli i vëllait të deputetit socialist në ekzekutimin që bëri bujë

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv ka zbuluar detaje të reja tronditëse në lidhje me aksionin e fundit të SPAK në Durrës, që çoi edhe në arrestimin e Enea Kumes, vëllai i deputetit të sapozgjedhur të Partisë Socialiste, Loer Kume.

Sipas Lalës, rasti nuk lidhet me tjetërsimin e pronave, por me një dosje shumë më të ndërlikuar që ka dalë nga zbërthimi i aplikacionit të komunikimit të enkriptuar SKY ECC, i cili po ndihmon autoritetet në dokumentimin e ngjarjeve të rënda kriminale në vend.

Në këtë rast, bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë që daton në janar të vitit 2021, ku u vra Edmir Bregu. Sipas hetimeve të SPAK, kjo ngjarje dyshohet të jetë një vrasje për hakmarrje, me lidhje të drejtpërdrejta me grupin e njohur të Avdylajve.

Lala tregoi se motivi i vrasjes vjen pas një përplasjeje të fortë mes grupeve kriminale. Nipi i Astrit Avdylit, Aldo Avdyli, ishte vendosur më herët në shënjestër për t’u eliminuar dhe dyshohet se pas kësaj qëndronte vetë Edmir Bregu.

Në shenjë hakmarrjeje, Astrit Avdyli, një emër i njohur i botës së krimit që ka dalë edhe në përgjime me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako, ka urdhëruar eliminimin e Bregut.

Në këtë skemë, sipas SPAK, Enea Kume ka luajtur rolin e informatorit të grupit kriminal. Ai dyshohet se ka dhënë informacion për lëvizjet e Edmir Bregut, duke ndihmuar në përgatitjen dhe realizimin e atentatit.

Për këtë arsye, ai është arrestuar si i përfshirë në një grup të strukturuar kriminal, që vepronte me qëllim eliminimin fizik të kundërshtarëve. Për ekzekutimin e Bregut, rolin e vrasësit dyshohet ta ketë pasur Alfred Doka, i cili besohet se ka vepruar kundrejt një pagese.