Tronditet Franca – Të shtëna në Nisë, raportohen disa viktima

Dy persona u qëlluan për vdekje dhe pesë të tjerë u plagosën, disa prej tyre rëndë, në qytetin bregdetar jugor të Francës, Nisë, njoftuan sot zyrtarët, ndërsa vazhdon kërkimi për autorët e ngjarjes.

Autoritetet thanë se po zhvillohet një hetim me dyshimet për vrasje të paramenduar nga një bandë e organizuar.

Kryebashkiaku i Nisës, Christian Estrosi, deklaroi se të shtënat që ndodhën gjatës natës lidhen me krimin për drogë dhe se janë përdorur armë automatike.

Ai bëri thirrje për rritje të përhershme të pranisë policore në lagjen e prekur.

Pas incidentit, u vendosën forca shtesë për të garantuar sigurinë në zonë, një vend i njohur si problematik dhe i prirur ndaj krimeve të dhunshme, sipas prefekturës.

Sipas mediave franceze, të dyshuarit janë në arrati dhe po kërkohen nga autoritetet.