Rrahën policin dhe thyen kamerat, dy të arrestuarit djemtë e Valbona Selimllarit

Dy djemtë e ish-misit Valbona Selimllari, Deni dhe Kejni, 21 dhe 18 vjeç, janë arrestuar nga Policia e Tiranës pas një episodi të dhunshëm ndaj një efektivi të rendit.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur dy të rinjtë kanë goditur një punonjës policie “për shkak të detyrës”. Pas shoqërimit në Komisariatin Nr. 2, ata kanë vijuar incidentet, duke thyer kamerën e sigurisë, dëmtuar derën e dhomës së shoqërimit dhe duke kërcënuar policët që ndodheshin aty.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë shtetasit D. S., 21 vjeç, dhe K. S., 18 vjeç, pasi në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë goditur, për shkak të detyrës, një punonjës policie.

Kur janë shoqëruar në ambientet e dhomave të shoqërimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, këta shtetas kanë thyer kamerën e sigurisë dhe kanë dëmtuar derën e dhomës së shoqërimit. Gjithashtu, kanë kanosur punonjësit e policisë që ndodheshin në këto ambiente.”- njoftoi policia.

Materialet i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për procedura të mëtejshme ligjore.

Kujtojmë pak javë më parë, dy djemtë e Valbona Selimllarit u përfshinë në një përplasje fizike në Dhërmi, në prani të dhjetëra turistëve, por arritën të shmangin pasojat ligjore.