Hakmarrje? Detaje nga atentati me eksploziv në Sarandë

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin bregdetar të Sarandës mbrëmjen e së shtunës, ku 58-vjeçari I.J ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi me lëndë eksplozive të vendosur në automjetin e tij.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:50 në lagjen nr. 3 të qytetit, ku shpërthimi i fuqishëm ka alarmuar banorët dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa biznese dhe automjete të parkuara pranë.Sipas njoftimit paraprak të Policisë, lënda plasëse ishte vendosur në një mjet tip “Toyota”, në pronësi të viktimës. Shpërthimi dyshohet të ketë ndodhur në momentin kur shoferi I.J ndodhej brenda në automjet, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Grupi hetimor dhe forcat e shumta të policisë po punojnë për identifikimin e autorëve si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të atentatit.

Burime nga hetimet bëjnë me dije se viktima ishte një person me precedent penalë dhe babai i një të riu, që aktualisht është i arrestuar nën akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit“, në lidhje me plagosjen me armë të dy personave më 17 korrik të këtij viti në Sarandë. Viktimat e atij rasti ishin G.H dhe E.L, të cilët mbetën të plagosur pas një përplasjeje të dyshuar kriminale me R.Z-në në lagjen nr. 4 të qytetit.

Kjo nuk është hera e parë që familja e viktimës përfshihet në ngjarje të rënda kriminale. Vetëm pak ditë pas plagosjes së G.H-së dhe E.L-së, më 21 korrik, një tjetër atentat me eksploziv ndodhi në qytet, kur një person i maskuar me maskë silikoni vendosi eksploziv në automjetin e të birit të viktimës së atentatit të mbrëmjes së kaluar, 31-vjeçarit K.J, duke e shkatërruar plotësisht. Edhe kjo ngjarje mbetet ende e pazbardhur nga autoritetet.

Policia po heton në disa pista të mundshme për atentatin ndaj I.J, mes të cilave hakmarrja, prishja e pazareve kriminale dhe lidhjet me ngjarjet e mëparshme që kanë tronditur Sarandën gjatë këtij viti. Kjo ngjarje e fundit shton më tej shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës kriminale në qytet, i cili duket se po bëhet arenë e larjes së hesapeve mes grupeve të ndryshme.