Serbia rrezikon një dënim dyvjeçar nëse shkaktohen trazira të rënda në takimin e 11 tetorit me Shqipërinë në Leskovac.
Alarmin e japin mediat vendase që shkruajnë se kjo do të sillte përjashtim në garat kualifikuese të ardhshme, që do të ishte një katastrofë për futbollin e Serbisë, që ka qenë i pranishëm vazhdimisht në fazat finale të Botërorit ose Europianit.Ky rrezik i mundshëm, siç shkruajnë mediat në Serbi, solli edhe zhvendosjen e sfidës nga stadiumi i Beogradit në atë të Leskovacit.
Një tjetër vendim ishte edhe mos nxjerrja në shitje e biletave. Ato do t’u jepen personave të kontrolluar me kujdes dhe që janë pjesë e shoqatave të futbollit apo deri te fëmijët e akademive.
Federata Serbe e Futbollit i druhet një përsëritjeje të trazirave të ndodhura në vitin 2014, ku u ndërpre ndeshja. Pas shumë përpjekjeve të FSHF-së, Shqipërisë iu dha fitorja në tavolinë, që ndihmoi edhe në kualifikimin në Europianin e 2016, ku ishte edhe debutimi i Kombëtares në fazën finale.
Për sigurimin e takimit Serbi – Shqipëri do të angazhohen forca të shumta të rendit, ndërsa do të mungojnë tifozët shqiptarë. Të pranishëm do të jenë edhe 2 oficerë sigurie nga FIFA, pasi e konsiderojnë sfidën si me rrezik të lartë sigurie./Tv Klan