Policia e Shkodrës ka dhënë detaje mëngjesin e kësaj të diele, 5 tetor, lidhur me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar në aksin rrugor “Kosmaç – Vau i Dejës”.
Sipas Policisë, 17-vjeçari duke drejtuar një automjet, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur me murin rrethues të një banese.“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmë, për aksidentin në aksin rrugor ‘Kosmaç – Vau i Dejës’, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë referuar materialet në Prokurori, ku është nisur procedimi penal për të miturin 17-vjeçar, pasi, duke drejtuar një automjet, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur me murin rrethues të një banese.”, bëri me dije policia.
Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar drejtuesi i mitur i mjetit, i cili është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar, dhe vëllai i tij 23-vjeçar, F. G., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal të Shkodrës jashtë rrezikut për jetën.