Do garojë për Tiranën, Ermal Hasimja poston VIDEO duke u hedhur në ujërat e “akullt”

Politologu i njohur, Ermal Hasimja, ka sfiduar temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin këtë fundjavë, duke u futur në ujërat e “akullt”.

Hasimja, i cili përflitet si një nga emrat që mund të kandidohet nga PD në garën për bashkinë e Tiranës, ka ndarë në rrjetet sociale pamjet, me një mesazh “pikant”.

“Pa sfida jeta është e mërzitshme.

Pa sfida nuk ka ndryshim”, shkruan ai bashkangjitur videos.

Diten e shtune Hasimja ka shpallur edhe vendimin per te qene kandidat per Bashkine e Tiranes.

Gjatë një prononcimi për Euronews Albania, Hasimja bëri të ditur se paraqet kandidaturën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës, duke theksuar më tej se kërkon mbështetjen e Sali Berishës dhe të partive opozitare.

“Më duket pozicioni logjik është që një opozitë e bashkuar të dalë me një kandidat të pavarur, i cili do të mbështetet nga një shumicë sa më e madhe e partive opozitare. Berisha ka kërkuar që edhe kandidatët e tjerë të shprehin dëshirat dhe ambiciet e tyre.

Duke pasur këtë mundësi, unë po i drejtohem zotit Berisha dhe kryesisë së PD-së, si dhe forcave të tjera opozitare, duke ju paraqitur publikisht kandidaturën time për kreun e Bashkisë së Tiranës, me të njëjtat kritere që ai ka përcaktuar: kandidat i pavarur, pa logo specifike partie, i mbështetur nga shumica e opozitës. Prandaj, zoti Berisha mund ta quajë kandidaturën time të paraqitur dhe ta shqyrtojë”, tha Hasimja.

Sakaq, Sali Berisha tha sot se Partia Demokratike do t’i konsiderojë me seriozitetin më të madh kandidatët e pavarur në këto zgjedhje dhe se do të presë për ta edhe dy ditë.

“PD vlerëson dhe çmon shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojmë me seriozitetin më të madh kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderohen të nevojshëm për fitoren e tyre, mbështetjen e PD. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë edhe forcat e tjera opozitare”, tha Berisha.