“Një i ri i maskuar qëlloi nga afër”- Zbardhet dinamika e vrasjes së shqiptarit dhe grekut! Pak ditë më parë, pronari i kampingut i shpëtoi një atentati! Çfarë thonë dëshmitarët

Një shqiptar dhe një grek mbetën të vrarë mbrëmjen e të dilës (5 tetor) në rajonin e Mesinisë në Greqi. Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e një kampingu në zonën turistike të Finikundas.

Sipas informacioneve të para nga autoritetet, rreth orës 20:30 të mbrëmjes, policia u thirr në kamping pas raportimeve për të shtëna armësh. Në vendngjarje u gjetën të pajetë dy persona.

Njëri prej viktimave është identifikuar si një shtetas grek, rreth 70 vjeç, pronar i kampingut. Viktima tjetër është një burrë me origjinë shqiptare, rreth 60 vjeç, i cili punonte si përgjegjës i mirëmbajtjes në të njëjtin kamping.

Sipas dëshmive të banorëve lokalë, autori dyshohet të jetë një i ri, i cili iu afrua dy viktimave dhe i qëlloi nga një distancë e afërt. Media greke MessiniaLive raporton se agresori hyri në recepsionin e kampingut me fytyrë të mbuluar dhe qëlloi për vdekje 70-vjeçarin. Më pas, pasi viktima shqiptare tentoi të largohej, edhe ai u qëllua për vdekje.

Pas krimit, autori dyshohet se është larguar me motor. Policia që mbërriti në vendin e ngjarjes ka konstatuar trupat e pajetë të dy burrave në recepsionin e kampingut, të mbuluar në gjak. Dyshohet se arma e përdorur ishte një pushkë gjahu (karabinë).

Hetimet janë duke u zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda të Mesinisë, e cila po mbledh prova për të identifikuar dhe kapur autorin. Burime nga policia bëjnë me dije se ka dyshime të forta që autori dhe viktimat njiheshin më parë.

Një detaj i rëndësishëm që është bërë publik është se rreth 15 deri në 20 ditë para vrasjes, pronari i kampingut kishte raportuar në polici për të shtëna dhe një tentativë për atentat ndaj tij në një tjetër biznes që ai zotëron brenda fshatit Finikunda.

Gjithashtu, sipas MessiniaLive, gjatë verës kishte ndodhur një përplasje e ashpër mes palëve, ku 70-vjeçari ishte plagosur në fytyrë nga një armë ajrore (aerobik), por rasti nuk ishte ndjekur më tej nga autoritetet.