“Morëm borxhe për t’i ndërtuar”/ IKMT dhe Policia prishin barakat përgjatë Rrugës së Arbrit, reagojnë banorët

Forcat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë ndërhyrë në segmentin e Rrugës së Arbrit nga tuneli i Murrizit deri në afërsi të Qafë-Buallit, për prishjen e disa barakave të ngritura pranë rrugës. Këto struktura ishin ndërtuar nga banorët në pronat e tyre, për të shitur produkte bujqësore dhe për të siguruar të ardhura për familjet e tyre.

Banorët shprehen të revoltuar për aksionin e IKMT-së, duke theksuar se ndodhen rreth 20 metra larg rrugës dhe se, sipas tyre, nuk po shkelin ligjin.

“Kemi kërkuar në bashkinë e Klosit të na pajisin me dokumentacion, por nuk kanë pranuar. U gëzuam kur u ndërtua rruga, menduam se do sillte zhvillim, por me këtë që po na bëjnë, më mirë të mos ishte ndërtuar fare. Jemi zhytur në borxhe për të ndërtuar këto baraka, dhe tani na vendosin edhe gjoba. Mua më kanë gjobitur me një milion e gjysmë lekë. Jemi të detyruar të largohemi, se s’kemi më nga të jetojmë”, shprehet Fitim Hoxha, banor i Xibrit.

Banorët shtojnë se ndërtimet janë kryer në territorin e Bashkisë Klos dhe se përpara zgjedhjeve lokale janë lejuar të ndërtojnë me premtimin se strukturat nuk do të prekesin. Ata kërkojnë nga autoritetet një zgjidhje për të mos humbur të vetmen burim jetese që kanë.