Në banesën ku fshihej i shumëkërkuari, i konsideruar si shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal për krime kundër personit, gjithashtu u gjetën celularë, njëri me ekran të thyer.
Aldo Avdylaj alias Elidon Avdylaj u prangos gjatë operacionit të koduar “Ghosts” në afërsi të Liqenit të Thatë.
37-vjeçari, banues në Shijak, akuzohet nga GjKKO-ja, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Ghosts”.
Operacioni u zhvillua nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh dhe Forcat Speciale “RENEA”.
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Në pranga 37-vjeçari nga Shijaku, i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal për krime kundër personit.
Gjatë ndërhyrjes në banesën ku fshihej 37-vjeçari, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim, strukturat operacionale të Policisë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ghosts”.
Në kuadër të operacionit, Forcat Operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me DFPO dhe Forcat Speciale “RENEA”, në afërsi të Liqenit të Thatë, kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. A. alias A. A., 37 vjeç, banues në Shijak.
Ky shtetas akuzohet nga GjKKO-ja, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Vrasja për hakmarrje
Vrasja e Edmir Bregut (alias Ilir Kuçi), krim i ndodhur më 24 janar 2021 në Durrës, dyshohet se u porosit nga Astrit Avdylaj për hakmarrje pas një tentative për t’i eliminuar nipin e tij, Aldo Avdylaj.
Astrit Avdylaj, një figurë e njohur e botës së krimit dhe i përfolur në të kaluarën për lidhje me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako, dyshohet se ka dhënë urdhrin për ekzekutimin e Bregut.
Në zbardhjen e kësaj skeme kriminale, roli i Enea Kumes ka qenë kyç. Ai dyshohet se ka vepruar si informator i grupit, duke dhënë detaje mbi lëvizjet e Bregut dhe duke ndihmuar në përgatitjen e atentatit.
Për këtë arsye, Enea Kume, vëllai i deputeti të PS-së, Loer Kume, është arrestuar nën akuzën e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal me qëllim eliminimin fizik të kundërshtarëve.
Ndërkohë, për ekzekutimin e Bregut, autoritetet dyshojnë se rolin e vrasësit e ka marrë përsipër Ermir Dedja dhe Alfred Doka.
“Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për hakmarrje të shtetasit, Edmir Bregu më datë 21.1.2021, në qytetin e Durrësit. Veprimet e kundraligjshme të vrasjes me paramendim për hakmarrje, mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes për hakmarrje dyshohet të jetë shtetasi Astrit Avdylaj, në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, Elidon Avdylaj alias Aldo Avdylaj.
Gjithashtu si drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë shtetasi, Elidon Avdylaj alias Aldo Avdylaj, si ndihmës dyshohet të jetë shtetasi Enea Kume, ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë shtetasit, Ermir Dedja dhe Alfred Doka. Në lidhje me këtë fakt po hetohet për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale”, informoi SPAK.
Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK dhe strukturat e posaçme të policisë janë duke thelluar analizën mbi veprimtarinë e grupit Avdylaj dhe lidhjet e tij në atentate të tjera të mundshme.