Një incident i rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë, më 15 tetor, pranë zyrave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), ku drejtori i Kontrollit të Territorit, Klajdi Meçi, është kërcënuar me jetë nga një person ende i paidentifikuar publikisht.
Gjatë ditës së sotme një person ka shkuar pranë zyrave të IMT-së dhe ka pretenduar se ishte i armatosur dhe se do të vriste drejtorin.
Por në atë kohë sipas kallëzimit të bërë nga drejtori i Kontrollit të Territorit, ai nuk ishte në institucion pasi ndodhej në terren.
Pasi është njoftuar për situatën nga stafi, Klajdi Meçi ka shkuar pranë komisariatit numër 3 në Tiranë dhe ka bërë një kallëzim.
Në deklaratën e dhënë para oficerëve të policisë, Meçi ka sqaruar se personi në fjalë ankohej për një objekt që, sipas tij, duhej shembur.
Por drejtori ka theksuar se objekti në fjalë ka një sigurim padie të miratuar nga Gjykata, çka e ndalon ndërhyrjen nga ana e IMT-së.
Në bazë të legjislacionit aktual, institucioni nuk mund të veprojë në kundërshtim me vendimet gjyqësore, pavarësisht pretendimeve të individëve të përfshirë.