Sot protesta në Tiranë për ish-krerët e UÇK që mbahen në Hagë! Çfarë e solli përplasjen Rama-Kurti! Kush do të marrë pjesë

Sot në Tiranë në sheshin “Skënderbej” do të zhvillohet një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Tubimi është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe mbështetet nga shoqata të ndryshme të ish-luftëtarëve, si dhe qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.

Tubimi është parashikuar për në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej”.

Përplasja Rama-Kurti

Pak orë përpara zhvillimit të kësaj proteste pati edhe një përplasje në distancë mes Albin Kurit dhe kryeministrit Edi Rama.

Fillimi ishte Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se qëndron krah qytetarëve që protestojë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por thekson se “ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj”.

Albin Kurti, në postimin në faqen zyrtare të Lëvizja Vetëvendosje, thekson rolin e kryeministrit Rama duke shtuar se kreu i qeverisë shqiptare ka shkuar në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter “për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”.

Ndaj shton Kurti, ai duhet të tregojë pendesë lidhur me qëndrimet, sipas tij, të gabuara që ka mbajtur në të kaluarën.

Nuk vonoi edhe përgjigja e kryeministrit Edi Rama, i cili kujtoi se Gjykata Speciale u ngrit për çështjen e trafikut të organeve, dhe jo si tha ai, “të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.

“Lëvizja më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se para 10 vitesh unë paskam qenë pro, kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kudo dhe kurdo që ka qenë rasti,” u shkruan Rama.

Rama gjithashtu kritikoi qëndrimet e kaluara të Vetëvendosjes ndaj figurës së Hashim Thaçit, duke nënvizuar se “atëherë Lëvizja nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë”.

Next