Një vajzë 26-vjeçare nga Bjellorusia është vrarë pasi ra pre e një mashtrimi të tmerrshëm që filloi me një ofertë të rreme për punë si modele në Tajlandë, por përfundoi në Mianmar, ku dyshohet se organet e saj janë marrë për t’u shitur në tregun e zi.
“The Sun” shkruan se, Vera Kravtsova u josh nga persona të panjohur që i premtuan një karrierë modelingu në Bangkok. Ajo udhëtoi drejt Tajlandës me ëndrrën për t’u bërë pjesë e pasarelave, por sapo mbërriti, u rrëmbye dhe u dërgua përtej kufirit në Mianmar.
Raportet e publikuara nga “Mash” dhe “The Sun” tregojnë se ajo u mbajt si skllave në një qendër mashtrimi që menaxhohet nga banda kineze dhe milici lokale burmeze. Burimet kanë thënë se detyra e saj ishte “të dukej e bukur dhe të mashtronte klientë të pasur për para”.
Autoritetet dyshojnë se këto qendra, që veprojnë në zona të ligësisë së pakontrolluar në kufirin mes Mianmarit dhe Tajlandës, mbajnë deri në 100 mijë njerëz në kushte skllavërie, të detyruar të punojnë në skema mashtrimi online, nën kërcënimin e torturës, prostitucionit ose shitjes së organeve.
Familja e Verës, e cila kishte lindur në Minsk dhe së fundmi ishte zhvendosur në Shën Petersburg, humbi kontaktet me të në fillim të tetorit. Disa javë më vonë, ata morën një mesazh ku u njoftuan se ajo ishte gjetur e vdekur.
Më pas, të afërmve iu kërkua 500 mijë dollarë për t’u kthyer trupi i saj në shtëpi. Kur refuzuan, ata morën një tjetër mesazh tronditës: “E kremtuam”.