Ironi e batuta në mbledhjen e kryeministrit me kryebashkiakët/ Ja kë bëri Rama për ‘dush të ftohtë’

Batuta, ironi e sarkazëm, kështu nisi e mbaroi mbledhja e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët e Shqipërisë, me tematikë ‘Paketa e Maleve’ dhe vijueshmëria përgatitore për zonat ku pritet të investohet.

Shefi i qeverisë nuk kurseu asnjë prej kryebashkiakëve të pranishëm për vonesat e dorëzimit të hartave me zonat prioritare ku priten të jetësohen projektet e personave që kanë shprehur interes për të investuar në Shqipëri, nëpërmjet ‘Paketës së Maleve’. Të vetmit që kishin përmbushur detyrimet, ishin bashkitë Belsh, Elbasan, Përmet, Tropojë dhe Skrapar.

Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari ishte i pari që u ‘piketua’ nga Rama gjatë diskutimit. Për Ramën, Kreshniku nuk kishte kuptuar ligjin dhe sesi Paketa e Maleve funskionon.

“Pse nuk e ke dërguar në qeveri? Ku e ke dorëzuar? (I drejtohet kryetarit të Bashkisë së Kuçovës-Kreshnik Hajdari). Ta drejtova pyetjen, jo vetëm ty por edhe atyre që tundin kokën. Nëse ti pret përgjigje nga ASHK, nuk e ke kuptuar ligjin, nuk e ke kuptuar paketën e maleve”, tha Rama.

Llogari Rama i kërkon dhe Kryebashkiakes së Dimalit, ndërsa në një moment kryeministri e ironizoi duke i thënë se ka të njëjtin kapacitet me Leninin për të komunikuar me shumë persona në të njëjtën kohë.

“As ti (i drejtohet kryebashkiakes së Dimalit-Juliana Mema) nuk e ke sjellë kështu mos pyet Ilir Xhakollin (Kryebashkiaku i Pogradecit). Po të them për paketën që paketa i jep përgjigje edhe asaj problematike që nuk ia jep ligji 20/ 20. Unë po them të njëjtën gjë. Unë e di që ke kapacitetet e Leninint që të flasësh me 7 veta në të njëjtën kohë (I drejtohet kryebashkiakes së Dimalit-Juliana Mema)”.

As kryebashkiaku i Kukësit, Albert Halilaj, nuk ka përmbushur detyrimet. Këtij të fundit Rama i tha se ka pasur në dispozicion të gjitha instrumentet e nevojshme dhe përsëri nuk ka realizuar punën.

“Më dëgjon ti kryetari i Bashkisë së Kukësit (Albert Halilaj)?!. Më dëgjon?! Por se di nëse më kupton?! Një nga shtysat për këtë paketë kanë qenë kuksianët, ku niveli i interesimit për të investuar është shumë i lartë nga ata që janë në emigracion.”.

Një bisedë me humor, u zhvillua mes kryetares së Bashkisë së Roskovecit, e cila e falënderon që ‘i kurseu’ nga kritikat pavarësisht punës së mosrealizuar.

Edi Rama: Duhet të vijë harta për zhvillimet rurale, ke pasur Adamin e fermerëve në Pogradec. Mendoj se ti duhet t’i kesh sjellë hartat?

Majlinda Bufi: E vërteta është se nuk i kam sjellë. Padyshim që është autorkitikë jo vetëm për mua, por edhe për ata që nuk i kanë sjellë.

Edi Rama: Bëj autokritikë.

Majlinda Bufi: Është autokritikë. Ne kemi nisur pak punën, por nuk e kemi finalizuar. Nuk ka vend për të thënë fjalë të tjera, më shumë prishet. Faleminderit që nuk na kritikove hapur.

LEXO  Adriatik Lapaj shkon në SPAK, zbardhet arsyeja

Edi Rama: Që të mbetesh në një rresht me Memaliajn dhe Fushë-Arrëzin, kjo nuk më pëlqen. Jepja pak atij mikut tim nga Fushë-Arrëzi.

Rama hodhi batuta dhe për kryebashkiakun e Maliqit, Gëzim Topçiu, të cilin kryeministri e ka cilësuar si legjenda e pushtetit vendor.

“Ju lutem shumë fokusohuni në këtë instrument sepse do t’ju japë shumë krah dhe mbi të gjitha është detyrimi që i keni atyre njerëzve që duan të investojnë në tokën e të parëve të tyre. Gëzim, por ti si më zhgënjeve sot. Është hera e parë që më zhgënjen, je legjenda e pushtetit vendor. Sa mandate ke, 7 apo 8? Jepja pak mikrofonin. Pas mandatit të 4 e vendos ti kur ik, sepse të harrojnë aty njerëzit, nuk të lëviz njeri. Ja 7 mandate ka ai”.

Ironi me nota humori Rama lëshoi dhe për bashkinë e Pogradecit lidhur me fermerët dhe terrenin favorit për të investuar.

“Nuk po flas për Pogradecin se është i zënë me territoret e antikitetit të thellë. Tani në fund na doli që të gjithë fermerët e Evropës origjinën e punës e kanë pasur në Pogradec. Ke pasur Adamin e fermerëve në Pogradec, tani duhet të kesh investime në këtë drejtim”, tha Rama.

Edi Rama iu drejtua dhe kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Becit, ku me humor i tha se kur ky projekt u nis, Beci nuk kishte mjekët, e sot që e ka, akoma nuk ka dorëzuar hartat për zonat prioritare.

“Kjo vlen deri tek Benet Beci, që ka qenë promotori i kësaj paketa dhe unë Shkodrën nuk e shoh këtu. E kemi nisur këtë punë bashkë kur ti nuk kishe mjekër. Unë kisha dhe ti nuk kishe, tani mjekra të është bërë si mua dhe harta nuk ka ardhur akoma.

Të qeshura shkaktoi dhe biseda me kryebashkiakun e Këlcyrës, Klement Ndonin, të cilit Rama i tha se në rast të përmbushjes së qëllimit brenda 1 muaji, do ta hipte për 5 minuta në vend të shtatores së Ali Pashës në Tepelenë.

Po e fillove brenda muajit, të gjithë këta që janë këtu, do më mirëkuptojnë që të vijmë atje, të shkojmë në Tepelenë, Tërmeti me dorën e vet do të heqi Ali Pashën dhe pa të hipur ty atje që të rrish të paktën 5 minuta dhe të gjithë të duartrokasim 5 minuta rresht, të jap fjalën”, tha Rama.

Njësoj ai iu drejtua dhe kryetarëve të bashkisë së PD-së, Hilë Currit në bashkinë e Fushë-Arrëzit si dhe opozitarit Albert Malaj i Memaliajt. Rama i cilësoi si hudhra, ndërsa më pas iu drejtua të vetëve me humor se shpëtuan nga vendosja në pozita pune, pasi as ata nuk kanë përmbushur detyrimet.

Lajme Te nGjashme