Dita e 13-të e grevës së naftëtarëve të Marinzës ka nisur me një tubim para zyrave të kompanisë, ndërsa për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, dy prej grevistëve, Dorjan Dylmishi dhe Eduart Selami, janë detyruar ta ndërpresin pjesëmarrjen, duke e reduktuar numrin e grevistëve në tetë. Protestuesit deklarojnë se janë braktisur nga shteti shqiptar dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet.
Në shenjë solidariteti, pranë grevistëve janë bashkuar edhe përfaqësues të organizatës “Drejtësi Sociale” dhe të “Shoqatës së Naftëtarëve”. Gentian Sejrani ka theksuar se kërkesat e punonjësve i janë përcjellë edhe institucioneve ndërkombëtare, ndërsa Bashkim Velçani ka apeluar që qeveria të ndërhyjë dhe të vendosë njeriun në qendër të vëmendjes.
Naftëtarët e Marinzës, të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, kanë nisur grevën më 15 tetor, duke kërkuar rritje të pagave nga 60 mijë në 100 mijë lekë në muaj dhe përmirësim të kushteve të punës. Ndërkohë, kompania “Bankers Petroleum Albania LTD” është nën hetim nga SPAK, e dyshuar se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 110 milionë lekësh.




