Xhuljano Hoxha, i akuzuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) si pjesëtar i një grupi kriminal, është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Arrestimi i tij është bërë pas një operacioni ndërkombëtar të koordinuar nga Interpol Tiranë dhe Interpol Manchester.
Hoxha, 30 vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzat e kultivimit të bimëve narkotike, përfshirë veprat penale të “Grupit të Strukturuar Criminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Hetimet dyshojnë se ai është pjesë e grupit që ka kultivuar lëndë narkotike në sera në fshatin Drenovicë të Beratit gjatë vitit 2022.
Operacioni “Stuhia”, i zhvilluar në nëntor 2022, ka goditur këtë grup kriminal, ku janë sekuestruar 870 kilogramë Cannabis Sativa.
Në kuadër të hetimeve, Hoxha ishte një nga të dyshuarit kryesorë, dhe hetuesit kanë kërkuar ekstradimin e tij për të përballuar akuzat në Shqipëri.
Procedurat për ekstradimin e tij janë në vazhdim, ndërkohë që autoritetet shqiptare vijojnë bashkëpunimin me Interpol Manchester për realizimin e këtij procesi.
