Vajtja në kohë e Monika Kryemadhit në gjykatë, ku do të niste shqyrtimi paraprak i dosjes penale të SPAK ndaj saj e ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, nuk e shpëtoi seancën e së martës në Gjykatën e Posaçme.
Gjyqtarja paraprake Irena Gjoka ndërpreu seancën pak minuta pas nisjes për shkak të mungesës në sallë të avokatit të të pandehurës Kryemadhi. Por më herët, një provë e re e prezantuar nga SPAK ngjalli debat të fortë mes palëve.
Prokurorët relatuan se bëhej fjalë për përgjigjen e një letër-porositë dërguar në SHBA në lidhje me pagesat e kryera për kontratën e lobimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim të vitit 2017.
Avokatët në proces kundërshtuan me forcë administrimin e shkresës si provë, në një kohë që hetimi i çështjes është përmbyllur në muajin korrik.
Ndërsa për Monika Kryemadhi, kjo situatë kishte vetëm një qëllim. Seanca e radhës në ngarkim të ish-bashkëshortëve Meta-Kryemadhi, të akuzuar për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje të pasurisë” dhe ndaj tre të bashkëpandehurve të tyre do të zhvillohet më 11 nëntor.