Zbulime të reja për “21 Janarin”, Lala: Në SPAK kanë mbërritur materiale nga SHBA

Zbardhen detaje të reja mbi thirrjen në SPAK, të Lulzim Bashës., Klodiana Lala ka raportuar se Basha është paraqitur si person në dijeni për dosjen e “21 Janarit” që po hetohet nga SPAK.

Sipas Lalës, Basha është paraqitur mbi bazën e një fletëthirrje të firmosur nga prokurori Alfred Shehu i cili po heton ngjarjet e dhunshme të 21 janarit ku u zhvillua demonstrata e udhëhequr nga opozita e asaj kohe drejtuar nga Edi Rama dhe ku humbën jetën 4 persona në Bulevard.

“Në kohën që ka ndodhur ngjarja, Basha mbante detyrën e ministrit të brendshëm, në atë kohë ndodhej në ambientet e kryeministrisë ku garda e Republikës hapën zjarr mbi demonstruesit duke vrarë 4 prej tyre.

Për shkak të rifillimit të hetimeve, mbi bazën e të dhënave të ardhura nga SHBA që kanë të bëjnë me disa materiale audio të depozituara më pas nga gazetari Artan Hoxha dhe xhaxhai i viktimës Aleks Nika, SPAK ka regjistruar procedimin penal dhe është duke hetuar mbi rolin e zyrtarëve të lartë në demonstratën e dhunshme të asaj kohe.

Basha është pyetur dhe më herët nga prokuroria e Tiranës.

Në 2020 Prokuroria rihapi hetimet dhe kërkoi aktekspertizë për predhën e nxjerrë në Turqi nga trupi i Aleks Nikës dhe më pas mbi bazën e të dhënave të reja, Prokuroria e rihapi këtë cështje, ku ka vetëm 2 të dënuar, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo që i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë shqiptare.