Pa ndonjë surprizë për askënd, Këshilli Kushtetues i Kamerunit ka shpallur rizgjedhjen e presidentit 92-vjeçar Paul Biya, kreut më të vjetër të shtetit në botë, për mandatin e tetë radhazi.
Mes thashethemeve për një rezultat të ngushtë dhe pretendimeve për fitore nga sfiduesi i tij kryesor, ish-ministri Issa Tchiroma Bakary, emocionet dhe tensionet ishin rritur në ditët para shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Për pak çaste u ndezën shpresat për një rezultat më ndryshe se zakonisht.
Për pasojë, edhe pse ishte pjesë e një modeli afatgjatë, rezultati zyrtar, fitorja e Biyas me 53.7%, përpara Tchiroma Bakaryt me 35.2% u prit me zhgënjim dhe ndjenjë boshllëku nga shumë kamerunas. Vendimi i Biyas për të kandiduar për një tjetër mandat shtatëvjeçar, pas 43 vjetësh në pushtet, ishte pa dyshim i debatueshëm. Jo vetëm për shkak të qëndrimit të tij të gjatë në krye të shtetit, por edhe për shkak të mënyrës së tij të qeverisjes.
Qëndrimet e gjata jashtë vendit, zakonisht në hotelin “Intercontinental” në Gjenevë ose në vende të tjera më të fshehta pranë liqeneve zvicerane, kanë nxitur shpesh spekulime për shkallën në të cilën ai në fakt e drejton Kamerunin, apo nëse vendimet kryesore merren nga kryeministri, ministrat, apo sekretari i përgjithshëm me ndikim i presidencës, Ferdinand Ngoh Ngoh.
Vitin e kaluar, pasi mbajti një fjalim në Francë gjatë një ceremonie përkujtimore të Luftës së Dytë Botërore në gusht dhe mori pjesë në samitin Kinë-Afrikë në Pekin muajin pasues, presidenti u zhduk nga skena publike për gati gjashtë javë pa asnjë njoftim apo shpjegim, duke shkaktuar spekulime mbi shëndetin e tij.
Edhe pse zyrtarë të lartë thanë më vonë se ai ndodhej, edhe një herë, në Gjenevë dhe po punonte si zakonisht, nuk pati ndonjë lajm të qartë deri në njoftimin për kthimin e tij në kryeqytet, në Jaunde, ku u filmua teksa pritej nga mbështetësit. Edhe këtë vit nuk ishte ndonjë surprizë e madhe kur ai shkoi në një vizitë tjetër parazgjedhore në Gjenevë, vetëm disa javë para ditës së votimit.