Gjykata e Apelit në Venecia ka ulur dënimin nga 18 në 15 vjet burg për vëllezërit shqiptarë Klinton dhe Ilmi Rakipaj, të dënuar për vrasje me dashje dhe tentativë vrasjeje të dyfishtë. Vendimi parashikon edhe mundësinë që ata të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit në arrest shtëpie, me monitorim elektronik.
Ngjarja ndodhi më 23 korrik 2023 në lagjen Forcellini të Padovas, ku gjatë një konflikti, dy vëllezërit goditën me thikë në zemër 24-vjeçarin Albert Deda, duke i shkaktuar vdekjen, si dhe plagosën rëndë dy të rinj të tjerë shqiptarë, të moshave 26 dhe 28 vjeç. Më pas, ata u larguan me një automjet ‘Renault Clio’ të kuqe, por u arrestuan një ditë më vonë nga policia italiane afër zonës së Villesse, rreth 20 kilometra nga kufiri.
Gjatë shqyrtimit në Apel, gjyqtari Lorenzo Miazzi vendosi të lehtësojë dënimin, duke marrë parasysh sjelljen e mirë të të akuzuarve gjatë qëndrimit në burgjet e Vicenzës dhe Rovigos, ku ata kishin marrë pjesë edhe në aktivitete pune.
Me vendimin e ri, Klinton dhe Ilmi Rakipaj do të vendosen në shtëpinë e xhaxhait të tyre në zonën e Venecias, ku do të qëndrojnë nën mbikëqyrje me pajisje elektronike, deri në përfundim të dënimit.