Vrasja e Dalan Alliajt në Vlorë, arrestohet pas 5 orësh kërkime kushëriri i tij Bertil Alliaj, person me rrezikshmëri të lartë

Policia e Vlorës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e kaluar (1 nëntor) në fshatin Gjorm, ku humbi jetën 36-vjeçari Dalan Alliaj.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, në rrugën përpara banesës së autorit të dyshuar, pas një konflikti për motive të dobëta.

Gjatë debatit, 32-vjeçari Bertil Alliaj, kushëri i viktimës, dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën në vend.

Menjëherë pas krimit, autori i dyshuar ishte larguar në zonën malore përreth, por forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me grupin hetimor të Prokurorisë, zhvilluan kërkime të pandërprera gjatë gjithë natës. Rreth orës 01:05 të mëngjesit, ai u lokalizua dhe u arrestua në flagrancë.

Njoftimi:

Pas rreth 5 orësh kërkimesh intensive, me përdorimin edhe të dronit, Policia e Vlorës bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme.Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në fshatin Gjorm, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, nga kushëriri i tij, një 36-vjeçar.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar si e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me 10 fishekë.

32-vjeçari i vënë në pranga, person në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar me 35 vite burg për vrasje.

Pas marrjes së njoftimit nga familjarët se në fshatin Gjorm ishte gjetur pa shenja jete shtetasi Dalan Alliaj 36 vjeç, banues në Fier, të cilit gjatë këqyrjes i janë konstatuar plagë të shkaktuara me armë zjarri, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, u ngrit një grup hetimor me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, i përbërë nga specialistë të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe ekspertë kriminalistikë.

Falë veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Bertil Alliaj, 32 vjeç, banues në fshatin Gjorm, Selenicë, i cili pas ngjarjes ishte larguar në zonën malore përreth. Menjëherë shërbimet e DVP Vlorë u organizuan dhe nisën kërkimet për kapjen e tij.Falë kontrolleve intensive të shtrira gjatë gjithë natës dhe përdorimit të dronit për krehjen e zonës, rreth orës 01:05 të mëngjesit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bertil Alliaj, pasi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, në rrugën përpara banesës së tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin Dalan Alliaj.

Gjatë kontrollit fizik të autorit, iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Beretta FS92”, e dyshuar si arma e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale 6 gëzhoja dhe 1 predhë arme zjarri.

Shtetasi Bertil Alliaj rezulton gjithashtu person në kërkim, menjëherë pas kapjes së tij, u ekzekutua edhe vendimi i datës 20.01.2016, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila e ka dënuar me 35 vite burg për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Next