Një prej momenteve që ish-kryeministrin Fatos Nano e kanë sulmuar politikisht, duke e etiketuar edhe si tradhëtar, është takimi me kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, gjatë kohës së luftës së Kosovës.
Detajet e pakta nga ajo se çfarë u tha në atë takim i kanë hapur edhe më tepër rrugë spekulimeve. Por kryeministri Edi Rama, në fjalën e lamtumirës për Nanon, tha se e dinte se çfarë kishte folur aty.
Rama tha se nëse një ditë publikohet ajo që Nano tha, askush nuk do vërë në dyshim kontributin patriotik të tij.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Lidershipi i tij ishte më shumë frymë. Për këdo që do marrë përsipër ta zbërthejë rolin vendimtar të Fatos Nanos dhe për atë që u bë më pas Partia Socialiste.
Në selinë e partisë që ai udhëhoqi qëndron një foto, për mua mbetet pamja më domethënëse, fill pas daljes nga burgu. Ai i sapodali nga burgu me dorën e majtë që tregon përpara dhe sytë që shkëlqejnë plot xixa, kafshë e rallë politike.
PS nuk lëvizi asnjë moment, e bën PS krenare për qenien e saj, promotore e interesave madhore të kombit. Ata që e nderuan kryetarin tonë, ishin ata që e ngritën dhe ulën tradhtar për takimin me Milloshevicin dhe për plot të tjera që nuk ia vlejnë t’i kujtojmë. E kam dëgjuar prej tij bisedën me kasapin e Beogradit.
Në atë takim nuk ka asgjë prej tradhtari, por kur të dalin në dritë fjalët e thëna në atë takim dhe bisedat me patriotët, atëherë as kush dot nuk do vërë në dyshim se kontributi i tij e rendit Fatos Nanon në rreshtat e nderit.




