Peshëngritësi shqiptar Ertjan Kofsha fitoi medaljen e bronztë në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të rinj dhe U-23 për peshën deri në 94 kg.
20-vjeçari, në provën e parë në shkëputje, ngriti 158 kg.
Në vazhdim ia doli të ngrinte 162 kg, duke thyer rekordin personal, e më pas, në tentativën e tretë me 167 kg, dështoi.
Ndërsa në stilin e shtytjes ngriti me sukses 191 kg. Në provën e dytë ishte i suksesshëm me 194 kg, por në fund nuk ia doli me 198 kg.
Por edhe në dygarësh ai u ngjit në podium. Peshëngritësi shqiptar tregoi emocionet për këto medalje të fituara.
“Ishte një nga arritjet e mia më të mëdha“, tha Kofsha.
Kampionati Europian i Peshëngritjes Junior dhe për U-23 po zhvillohet në Durrës dhe do të vazhdojë deri më 5 nëntor.




