Artur Ribaj ish-drejtor i mbikëqyrjes në tregun e sigurimeve në AMF, gjatë një interviste televizive komentoi se rezoluta e miratuar në komisionin e ekonomisë ishte një hap në drejtimin e duhur.
Sipas tij ka gjithmonë vend për përmirësime, ndaj dhe sugjerimet e propozuara nga kuvendi janë më të drejta ndaj konsumatorëve.
Z. Ribaj është i mendimit se tregu vendas duhet të shkojë drejt një primi, sigurimi të makinës në mënyrë të personalizuar.
“Çdo kompani e ka historikun për çdo shofer në vend. Mundësitë janë që siguracioni të jetë i personalizuar, pra secili të paguajë sipas historikut të tij. për mua është e pa pranueshme që viti zero të nisë në 2025. Çdo shofer ka një historik dhe eksperiencë më të gjatë për të marrë në konsideratë. Ndaj do të ishte më e drejtë që TPL-ja, të mos ishte e unifikuar për të gjithë njësoj”, tha Ribaj.
Por me rezolutën e miratuar nga komisioni i ekonomisë, tashmë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të duhet të rishohë edhe një herë rregulloren që parashikon faktorët e riskut.
Në 2024 AMF miratoi 7 faktorë që përbëjnë dhe çmimin final të primit. Por a do të jenë gati rregullat e reja deri në fund të dhjetorit?
Mbetet me pikëpyetje nëse do të jenë gati rregullat e reja deri në fund të dhjetorit, për ti hapur rrugë zbatimit në janar 2026. Tashmë grupi i punës që ka punuar për këtë sistem, duhet të mblidhet sërish për të reflektuar sugjerimet e kuvendit. E shoh të vështirë rishikimin e skemës brenda dy muajve”, tha Ribaj.
Me rregullat në fuqi dhe me skemën e prezantuar nga AMF, nëse sistemi do të nisë të zbatohet ai parashikon që të ofrojë më shumë ndëshkim sesa bonus për shoferët. Duke marrë në konsideratë se viti zero është 2025, shembujt e ilustruar tregojnë se shoferët e rregullt nuk përfitojnë bonuse.




