Kryeministri Edi Rama në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, nuk i kurseu batuta me rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, duke deklaruar se nuk e kishte menduar se mund të lavdëronte kaq shumë një demokrat.
Rama deklaroi ndër të tjera se “kur demokratët nuk kanë flokë e kam më të lehtë të gjej aleancë me ta”.
“Sot është kthyer në pararojë e transformimit, e ambicies për Shqipërinë e të nesërmes. Pararojë e përgjegjshmërisë së lartë e atyre që trokasin në dyert e universiteteve tona. Këtu ka një meritë jo vetëm lidershipi.
Nuk do vinte dita të lavdëroja kaq shumë një demokrat. Por kam kuptuar se kur demokratët nuk kanë flokë e kam më të lehtë të gjej aleancë me ta”, tha Rama.
Rama: Dua të kthehem një çast në një moment restrospektiv për të prekur pastaj sa më shkurt disa pika të rëndësishme për sot dhe për nesër. Momenti retro është kur rektori i Universitetit më është drejtuar me urgjencë dhe panik do thosha për shkak të rënies së numrit të studenteve dhe domosdoshmërisë për të mundësuar që universitetit të mos mbetej pa studentë. Më ka kërkuar që të mbështes idenë e uljes së mëtejshme të mesatares së pranimeve në këtë universitet. Pra të shkonim në një drejtim që të sillte me shumë njerëz, por do të komprometonte cilësinë e burimeve njerëzore
Unë i thashë rektorit që ne duhet të shkojmë në të kundërtën, duhet të synojmë që ti japim universitetin markën e ekselencës dhe ta bëjmë tërheqës përmes një mundësie të re përmes forcës së dijes.
Kështu lindi ideja për të shkuar së bashku me ministren në atë kohë dhe me zv rektoren dhe një grup si një delegacion në dyert e Universitetit Boku ku njohëm të ditëlindurin e sotëm, Ubertin që jemi në garë me Bardhin se kush e do më shumë.
E kujtoj atë moment sepse realisht Uberti ishte i zbehur, duke parë kryeministrin dhe rektorin që i shkojnë në zyrë.
Kështu filloi bashkëpunimi që sot ka sjellë një situatë optimizmi. Sot rezulton 20% plus studente në Universitetin Bujqësor, studente jo me mesatare të ulët.
Do të jetë një fushë kaq jetike sa vlerësimi për njerëzit do të vijë vetëm duke u rritur edhe në aspektin financiar.

				



