Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se mazhoranca nuk bën asnjë koment për emra të veçantë në lidhje me hetimet për Belinda Ballukun, e cila u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK.
I pyetur nëse Partia Socialiste do ta mbështesë Ballukun në punën e saj tashmë që SPAK i ka komunikuar akuzat, Balla dha këtë përgjigje:
“PS edhe në diskutimet që patëm gjatë javës së kaluar sa i takon raportimit të institucioneve të drejtësisë, kemi qenë të qartë që kurrë nuk do të bëjmë komente mbi meritat dhe çështjet që trajtojnë institucionet e drejtësisë. Zyrtarisht PS nuk bën komente për asnjë çështje të veçanet”.
Belinda Balluku u mor e pandehur po për këtë tender, të premten e 31 tetorit. Numrit dy të qeverisë iu komunikua akuza e shkeljes së barazisë në tendera.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.




