Gazetari Lavdrim Lita ka ngritur akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, lidhur me një tender, të pretenduar nga ai, prej 800 mijë eurosh për blerjen e një makine të re të blinduar. Lita e cilësoi këtë veprim si të pajustifikuar dhe provokues në raport me qytetarët.
“Lajmi është që kryeministri Rama ka tenderuar 800 mijë euro për një makinë të blinduar. Pyetja është: nga kush sulmohet ky zotëri? Nga kush ka frikë?”, deklaroi gazetari bë emisionin “Off the Record” në A2 CNN.
Sipas tij, në një vend ku mungojnë fondet për shërbime publike, blerja e një automjeti luksoz për kreun e qeverisë është e papranueshme.
“Kjo është pyetja që duhet të bëjnë qytetarët, ku shkojnë paratë e tyre? Pse duhet të blihet një super makinë si ato të presidentit amerikan?”, shtoi Lita.
Ai theksoi se Rama, pas 13 vitesh në pushtet dhe në mandatin e tij të katërt, nuk mund të justifikojë një shpenzim të tillë, duke e krahasuar luksin qeveritar me atë të udhëheqësve të fuqive botërore.
“Do të ecë edhe kryeministri ynë me makinat e blinduara të tipit të Donald Trump-it? Nga kush ka frikë ky?”, tha Lita.