Një incident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Chalkida të Greqisë, ku një 23-vjeçar ka humbur jetën pasi u godit me thikë gjatë një përleshjeje të dhunshme mes dy grupe tifozësh. Konflikti i armatosur, që përfshiu 8 persona të ndarë në dy grupe rivale, ndodhi në rrugën Lilantion të qytetit, duke lënë gjithashtu dy të plagosur të tjerë, të cilët fatmirësisht nuk janë në rrezik për jetën.
Viktima është transportuar me një automjet privat në Spitalin e Halkidës nga persona të panjohur, ku më pas është braktisur në hyrje të spitalit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra.
Policia ka arrestuar gjashtë persona, dy prej të cilëve kanë marrë plagë gjatë përleshjes. Dy nga të arrestuarit nuk kishin precedentë penalë, ndërsa i gjashti, një 19-vjeçar, ka një histori të njohur me krimin. Një person i shtatë ende nuk është identifikuar dhe po kërkohet nga autoritetet.
Në një zhvillim të mëtejshëm, pak më vonë, një 20-vjeçar u gjet i mbuluar me gjak pranë Sheshit Eleftherias dhe u dërgua me urgjencë në spital. Ai ka fraktura dhe një plagë me thikë nën sy, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet nën mbikëqyrjen e policisë.
Policia greke (ELAS) ka konfirmuar se ngjarja e dhunshme e djeshme ka pasur lidhje me rivalitetet mes grupeve të tifozëve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personit të shtatë janë në vazhdim.