Në Gjykatën e Posaçme këtë të martë nisi pyetja e dëshmitarëve të SPAK në procesin ndaj të pandehurve të dosjes “Plumbi i artë”. Dëshmitarja e parë e paraqitur është Matilda Habilaj, e bija e Fatmira Dedjas dhe motra e Elvis Dedjas, të dy të vrarë në Durrës në vitet 2012 dhe 2013.
Dëshmitarja ka treguar se nuk ka pasur asnjë raport me nënën dhe vëllain, pasi ata kishin ndarë rrugët që në vitin 1997, duke zgjedhur drejtime të ndryshme.
“Ne kemi lindur në Kavajë, por më pas kemi jetuar në Durrës. Loshja është vëllai im Ervis Dede. Unë nuk kam pasur dijeni se me çfarë është marrë vëllai im. Nga viti 1997 deri në 2010 ka pasur një shkëputje. Unë kam qenë duke u marrë me studimet e mija. Komunikimi im me vëllanë e mamin u stopua në 1997. Mesa di ka shkuar në Itali për herë të parë. Nuk e di ça ka ndodhur aty me Loshen, por ka shkuar në Holandë e më pas në Belgjikë. Në 2008 kam mësuar se është kthyer në Shqipëri. Për vdekjen e vëllait tim, unë isha në kurs, jap mësime në gjermanisht. Në 10 të darkës me telefonuan, më thanë për Loshen. Unë kam shkuar më vonë për 1 muaj në Gjermani. Kam pasur vetëm një telefonatë me nënë time pas ngjarjes”, ka rrëfyer ajo.
Më tej Matilda ka zbuluar se nuk ishte në ceremoninë mortore të vëllait të saj të ndjerë dhe se në kohën kur kishte menduar të rivendoste marrëdhëniet me të ëmën, kësaj të fundit i morën jetën në atentat.
“Unë nuk isha pjesë e ceremonisë, pasi nuk i njihja njerëzit. I dhashë kohë vetes sime. Kur po mendoja që të vija tek mami, ndodhi ajo që ndodhi në 2012. Në 1997 unë i shkëputa të gjitha marrëdhëniet. Unë mora rrugën e shkollës, ai tjetër. Po të ishte Losha gjallë, ata që e kanë vrarë mamin, nuk kanë pasur shanse të prekin një fije floku. Vëllai ishte shumë i lidhur me mamin. Mamin në mënyrë makabre e ekzekutuan për ca para të vogla. Mesa kam parë në media, mami im është vrarë për 12 mijë euro. Shtetasin Besnik Dedja e njoh, ai daja i Loshës. Edhe i imi është, por unë nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me ta, që në vogëli”, ka zbuluar ajo më tej.
Kujtojmë se i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka akuzuar si vrasës të nënë e bir disa persona. Fillimisht për vrasjen e Elvisit ai akuzoi Festim Qolin dhe Henrik Hoxhën, ndërsa Talo Çelën për vrasjen e 60-vjeçares, Fatmira.
Fatmira Deda u gjet e vrarë rreth një vit pasi i ekzekutuan të birin në garazhin e pallatit ku jetonte e vetme. 60-vjeçarja u gjet pranë automjetit në pronësi të saj, brenda në garazhin që ndodhet në lagjen nr.3 të Durrësit, e mbytur në gjak, me një plagë në kokë, nga një banor i pallatit, i cili lajmëroi urgjencën e spitalit, dhe policinë e rendit. (A2 Televizion)