Një ditë më parë deputeti Bujar Leskaj njoftoi dorëheqjen e tij si drejtues i qarkut Vlorë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Leskaj bëri të ditur se letrën e dorëheqjes ja kishte depozituar ish-kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës.
Ndër të tjera ai shtoi se partia ka nevojë për frymë të re dhe për këtë arsye pas dy vitesh do të dorëzojë edhe mandatin e deputetit me qëllim për t’i dhënë mundësi një tjetër kandidati të së djathtëve në Vlorë për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.
“Analiza e zgjedhjeve, mbas denoncimit të farsës zgjedhore dhe raportit të OSBE/ODIHR, duhet të fillojë nga drejtuesit politikë që humbën në zgjedhjet e 11 majit në qarqet e tyre, pavarësisht farsës dhe manipulimit të zgjedhjeve. Këta drejtues duhet ose të japin dorëheqje (personalisht, menjëherë pas zgjedhjeve, në maj 2025, i paraqita Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishës dorëheqjen time, si drejtues politik i qarkut Vlorë) dhe/ose të zëvendësohen me të rinj, nga kandidatët e PD-së në listat e hapura që fituan ose morën mbështetje të gjerë nga elektorati”, tha Leskan ndër të tjera duke theksuar se do të vijojë të japë kontributin e tij pranë të djathtëve.
Ndërkohë, vetëm pak pas këtij njoftimi të Leskajt, Newsbomb arriti të mësonte “qëllimin” e deputetit demokrat.
Demokrati i ka shprehur Berishës ambicien për të shkuar në Bankën e Shqipërisë, si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke kërkuar prej tij mbështetje për garën që të ndahet me votë në Parlament.
Vendi që deputeti i Vlorës i ka vënë “syrin” në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, është pikërisht ai i Ridvan Bodes, ish-ministrit të Berishës i cili pas humbjes së zgjedhjeve në 2013 u shkëput nga politika.
Lidhur me këtë largim të befte të Leskajt është pyetur së fundmi edhe vetë ish-kryeministri Berisha. Në një deklaratë për mediat këtë të martë, lideri i të djathtëve pohoi se lajmi për dorëheqjen e Leskajt është i vërtetë.
Berisha u shpreh se e vlerëson dorëheqjen dhe se ai do të vijojë të japë kontribut në PD.
“Tani, e vërtetë është ajo. Bujar Leskaj ka ardhur dhe më ka dhënë dorëheqjen si drejtues qarku. Nuk kam ndonjë koment tjetër gjersa ai e ka bërë publike dhe unë e vlerësoj dorëheqjen e tij dhe kaq mund të them. Sugjerimi i tij është sugjerim i tij. Por si hap unë këtë deklaroj. Ai do të japë kontributin në PD, natyrisht jo si drejtues qarku”,-tha Berisha.
Bujar Leskaj përgjatë javëve të fundit është komentuar gjatë nëpër media. Politikani i PD në qarkun e madh të jugut, në protestën e mbajtur për krerët e UÇK-së vendosi që të “shpërfillte” urdhrin e Berishës për të mos marrë pjesë.
Madje ai i pyetur nga gazetarët u përgjigj: “Kush po e rr*an për urdhra”./Newsbomb