Me një buxhet prej 8.8 miliardë eurosh, qeveria parashikon për vitin 2026 një rritje të ndjeshme të shpenzimeve sociale dhe investimeve publike. 100 milionë euro do të destinohen për rritjen e pensioneve sipas skemës së re, ndërsa 135 milionë euro do të shkojnë për rimbursimin e medikamenteve. Fondi për rindërtimin do jetë në 50 milionë euro.
Të ardhurat e planifikuara kapin vlerën e 823 057 milionë lekëve, shpenzimet 886 764 milionë lekë, ndërsa deficiti buxhetor parashikohet 63 707 milionë lekë. Për 11 kontrata koncesionare do të shpenzohen 120 milionë euro, një ulje e lehtë krahasuar me 123 milionë eurot e këtij viti.
Investimet publike për vitin 2026 janë planifikuar në masën 6.5% e PBB ose 179.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë dhe 6.8 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga plani i rritjes me BE).
Shpenzimet buxhetore për vitin 2026 programohen në masën 886.8 miliardë lekë ose rreth 31.9% e PBB duke rezultuar rreth 55 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2025. Në shpenzimet buxhetore për periudhën 2026-2028 sigurohen burimet e nevojshme për arritjen e angazhimit të qeverisë për rritjen e pensionit minimal në nivelin e 200 euro në muaj dhe atij mesatar në nivelin e 400 euro në muaj. Krahas kësaj politike, parashikohet financimi i plotë i efektit të rritjes së pagës minimale prej 50 mijë lekë në muaj.
Për herë të parë, parashikohet edhe indeksimi i pagave të administratës publike në masën 2.5% duke filluar nga data 1 janar 2026.
Gjithashtu, për vitin 2028 janë parashikuar efektet buxhetore të rritjes së pagës minimale në nivelin 60 mijë lekë në muaj, e shoqëruar me indeksimin e pagave në administratën publike me inflacionin e pritshëm të vitit paraardhës.
Buxheti për vitin 2026 është
Të ardhurat 823 057 milionë lekë
Shpenzimet 886 764 milionë lekë
Deficiti 63 707 milionë lekë