Del video e aksidentit fatal në SHBA, avioni i mallrave shpërthen gjatë ngritjes

Një aksident ajror tragjik ka tronditur Shtetet e Bashkuara mbrëmjen e së martës, pasi një avion ngarkesash i kompanisë UPS shpërtheu në flakë gjatë ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Louisville, në shtetin e Kentucky-t.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin dramatik kur avioni përfshihet nga flakët gjatë ngritjes, me zjarr që del nga motori i majtë dhe më pas ndodh një shpërthim i fuqishëm që ndriçon qiellin e natës.

Në video shihet qartë se avioni tenton të ngrihet, por më pas kthehet në një top zjarri dhe përplaset në tokë, duke krijuar një re gjigante tymi.

Sipas autoriteteve, avioni i tipit McDonnell Douglas MD-11, që transportonte rreth 150 mijë litra karburant, u rrëzua në një zonë industriale pranë aeroportit, duke shkatërruar dy biznese – një uzinë riciklimi nafte dhe një oborr pjesësh makinash.

Raportohet se dy punonjës të këtyre ndërmarrjeve janë ende të zhdukur.

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes ku tre prej tyre u konfirmuan se ndodheshin në bord ndërsa 11 të tjerë u plagosën në tokë.

 

 

 

 

 

 

Next