Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën për abuzimet financiare pak pasi kryetari i KLSH-së mbajti raportin vjetor në Kuvend ditën e sotme.
Ndërsa iu referua edhe raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për çështjen e medikamenteve të Onkologjikut për të sëmurët me kancer dhe shkeljet e shumta atje, Berisha tha se ky ishte krim ndaj njerëzimit. Ai vuri në dukje edhe mosprezencën e ministrave në Kuvend, veçanërisht të ministres së Shëndetësisë.
“Unë vlerësoj punën që ju keni bërë me abuzimet e tmerrshme me ilaçet e të sëmurëve. Iku zonja, ia mbathi, bëri një zotim por iku, unë do e përgëzoja nëse do e mbante premtimin. Është krim të mos u japësh ilaçe të sëmurëve me kancer. Përben krim kundër njerëzimit sipas konventat ndërkombëtare, shkoni pyesni të sëmurët. Nuk jep asnjë përgjigje, nuk jep asnjë garanci, se ia mbath, ia mbath (flet për ministren e Shëndetësisë)”, tha kreu i selisë blu mes të tjerash.
Berisha akuzoi nga foltorja edhe kryeministrin se terrorizon dhe nuk lejon auditin e KLSH-së në institucion, duke detyruar edhe kontrollorin që të largohet nga detyra.
“Janë kushte të vështira, presioni politik. Çfarë mund t’i themi një punonjësi, një djali a një vajze, se nuk e di çfarë është, që kërkon të bëjë auditin e kryeministrit dhe e terrorizon. Nuk lejon kontrollorin të bëjë auditimin e Kryeministrisë, e terrorizon, e detyron të iki nga detyra. Ku pranon ai, i largon. Edhe ju këtu se jeni zonja, duhet të keni guxim. Tani ka bllokuar auditin ai”, u shpreh kreu i PD-së.
Në fund Berisha bëri thirrje për protesta dhe reagim qytetar, sepse dosjet e abuzimeve të qeverisë janë sa “mali i Dajtit”.
“Nuk kemi pse presim, duhet të veprojmë, dosjet janë sa mali i Dajtit, duhet të dalim në shesh, të përballemi. Po dosjet e AKSH-it ku Shqipëria është bërë pronë private e kryeministrit. Pse? Auditi nuk guxon, sepse mund t’i gjej blerjet”, tha ai.