Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e 20-vjeçarit, Ervis Brasha, i cili u ndalua ditë më parë nga efektivët e Komisariatit nr.5 në Tiranë, pasi hiqej si polic. I riu ka rrëfyer para “kolegëve” se më parë ka punuar në Policinë Bashkiake, por e ka lënë këtë detyrë për të aplikuar në Policinë e Shtetit.
Ai ka thënë se pasioni për të qenë punonjës policie e ka shtyrë të mbante uniformën dhe gradat e strukturës dhe se arma që ju gjet me vete është imitim të cilën e kishte blerë në aplikacionin “Temu”.
Sa i përket dokumenteve të identifikimit, 20-vjeçari ka treguar se ishin fotokopje të plastikuara gjatë periudhës kur ishte në punë në policinë bashkiake.
“Para 4 muajsh kam qenë punonjës i policisë bashkiake Tirane por e lashë këtë detyrë për tu bërë pjesë e policisë së Shtetit. Kam aplikuar për t’u bërë pjese e policisë, por nuk i kam kaluar të gjitha etapat e kualifikimit për t’u bere pjese e kësaj strukture.
E kam pasion për të qenë punonjës policie për këtë arsye i kam mbajtur këto veshje. Ne lidhje me armen që është gjetur, është armë imitim te cilën e kam blerë në faqe interneti Temu. Dokumentet e identifikimit i kam printuar kur ka qenë në punë në policinë bashkiake dhe i ka plastifikuar ne kancelari të cilat nuk i mbaj mend se ku i kam bërë, por ato janë fotokopje. Automjetin e ka marrë me qira ne Astir. Shpjegime të mëtejshme do i jap në një moment të dytë përpara gjykatës”, msohet të ketë 20 vjeçari.
Brasha u ndalua nga shërbimet e Komisariatit nr.5 në Kamëz teksa drejtonte një mjet të marrë me qira, i veshur me uniformë të Policisë së Shtetit dhe me gradat dhe stemat e saj.
Ndalimi i tij u bë pasi uniformat blu konstatuan se ai kishte veshur uniform policie. Pas verifikimeve të kryera nga ana e shërbimeve, rezultoi se 20 vjeçari nuk ishte pjesë e policisë së shtetit për këtë arsye ai u vendos në pranga.
I riu është nën hetim për ‘falsifikim të dokumenteve”, “mbajtja pa të drejtë e uniformes” dhe “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve të gjuetisë dhe sportive”.