Në qendër të Shkodrës, Policia Bashkiake ka ndërhyrë duke hequr një tabelë të vendosur nga Myftinia Shkodër, e cila mbante një mesazh kundër grabitjes së pronave. Sipas autoriteteve vendore, tabela ishte vendosur pa leje në një hapësirë publike, duke shkelur rregullat për përdorimin e hapësirave të përbashkëta.
Përfaqësues të Myftinisë kanë reaguar ndaj këtij veprimi, duke theksuar se tabela ndodhej në atë vend prej disa muajsh dhe se institucioni nuk ka marrë asnjë njoftim apo shkresë zyrtare për heqjen e saj.
Sipas tyre, veprimi i Policisë Bashkiake është i pabazuar dhe mungon transparenca institucionale.
Mesazhi i tabelës lidhej me debatin e hapur mbi ndërtimin e kullës 35-katëshe në qendër të qytetit, projekt për të cilin Myftinia Shkodër ka deklaruar më herët se po zhvillohet në një tokë që i përket këtij institucioni fetar.
Çështja e pronësisë mbetet ende e paqartë dhe ka ngjallur diskutime të gjera në opinionin publik të qytetit verior.