Ish-shefi policisë, Nazmi Shuli gjatë fjalës së tij në gjyq ka përgënjeshtruar deklarimet e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Sipas deklarimeve të mëparshme të Dumanit, Shuli ka marrë një armë zjarri poshtë mbikalimit pas vrasjes së Elvis Dedjas.
I pyetur nëse ka marrë një armë poshtë mbikalimit ku ndodhi vrasja, ai tha se jo dhe se është zbatues i ligjit. Ai shtoi se nuk ka lidhje me këto. Ish-polici ka theksuar se Festimin dhe Petrit Qolin i njeh.
Sipas Prokurorisë Shuli ka bërë komunikim telefonik me Festim Qolin një ditë përpara se të ndodhte ngjarja. Ka komunikuar me Petrit Qolin ditën e ngjarjes. Shuli ka pohuar se ka komunikuar disa herë më ta por s’ka folur për vrasjet.
“Në qershor 2012 kam qenë i punësuar në qarkun e Elbasanit, pjesë e policisë së shtetit. Festimin dhe Petrit Qolin i kam njerëzit e mi dhe kam komunikuar në telefon me të. Numrin e telefonit që nga 2012 e kam ndryshuar. Festim Qoli ka pasur një karburant, një sallë dasmash dhe market. Te karburanti ka qenë me një ortak tjetër. Unë e kam njohur si “Loshi” ortakun e Festimit, ishin shokë dhe miq bashkë.
E kam marrë vesh në media për vrasjen e Loshit, vonë. Me Festim Qolin kam folur në telefon, bashkë me një kolegun tim oficer policie pimë kafe me të te karburanti. Për vrasjen e Elvis Dedja nuk diskutuam fare me Festimin për këtë fakt. Agron Qolin e kam djalë daje, kemi patur raport të shkëlqyer. Agroni raportet me Festimin dhe Petritin i ka patur të mira.
Pas vrasjes së Elvis Dedjas, pas shumë kohësh e kam takuar Festimin. Nuk tentova ta marr në telefon gjatë as periudhe, as Petritin. Me Festimin bëra biseda normale, ai kishte qenë jashtë shteti. Nuredin Dumanin nuk e njihja, vetëm të atin. Pas vrasjes së Fatmira Deda jam takuar me Festimin, nuk më ka shprehur shqetësime për të. Kam qenë shef komisariati në Peqin kohën kur ndodhi vrasja e Elvis Loshit. Në Durrës kam qenë shef komisariati në vitin 2011.
Nga 11 janari deri në dhjetor 2011 kam qenë shef komisariat Durrës, pastaj u transferova në Peqin. Ndodhesha në shtëpi në Shkozet në momentin që mora vesh për ngjarjen. Rrallë shkoja te karburanti, pija kafe me njerëzit e mi. Me Petrit Qolin dhe Agron Qolin takoja aty kur na binte rasti, edhe me Festimin. Elvisin ma patën prezantuar si shok i Festimit. Festimi kishte aksione në pikën e karburantit”, tha ai.