Kryeministri Edi Rama reagoi dje për herë të parë në rrjetet sociale, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Vendim, që kryeministri Edi Rama e lexon si një provë që ai nuk i ka kapur të gjitha pushtetet, duke iu përgjigjur nën rreshta edhe akuzave të opozitës për kapje të drejtësisë. Shefi i qeverisë thotë se nëse Kushtetuesja ka vlerësuar se kryebashkiaku i Tiranës nuk mund të largohet veçse me zgjedhje, atëherë sipas tij mbajtja e Erion Veliajt në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave të tij, por edhe në dëm të popullit të Tiranës.
Në argumentimin e tij me 3 pika, Rama shkruan se tashmë është në dorë të Kushtetueses që të gjejë zgjidhje për ngërçin ku është futur Tirana. Sipas Ramës, çdo njeri normal që nuk sheh te qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë, nuk ka si mos të presë që kur të gjykohet paraburgimi i Veliajt, Kushtetuesja ta kthejë atë në detyrë. Pra Rama kërkon lirimin e Veliajt nga burgu, ndërkohë që kjo lëvizje i hapë rrugë edhe fundosjes së bandës së zv/kryeministres Belinda Ballukut, e cila dyshohet se fshihte pas personit anonim Nesti Angoni që kallëzoi kryebashkiakun e Tiranës në Prokurorinë e Posaçme.
Kujtojmë se Kushtetuesja i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Me një vendim 5 vota pro e 3 kundër, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë. Kushtetuesja argumentoi se Veliaj nuk u pyet duke iu mohuar një proces i rregullt ligjor. Ndërsa thekson se një kryebashkiak mund të shkarkohet vetëm sipas nenit 115 të ligjit themeltar për një shkelje të rëndë.
Postimi i plotë i z. Rama
“Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo
Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo
Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo
Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqytet nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë”, shkroi dje kryeministri Edi Rama. Më poshtë po pasqyrojmë kronologjinë e ngjarjeve, duke nisur nga shkarkimi i Veliajt, te njoftimi i Ramës dhe kalimi i çështjes në Kushtetuese.
17 SHTATOR
Socialistët nisin procedurat për shkarkimin e Erion Veliajt. Për me shumë se 2 orë, këshilltarët socialistë të bashkisë së Tiranës u mblodhën në selinë rozë, nga ku firmosën kërkesën për mbledhjen e këshillit, të martën 23 shtatorit.
18 SHTATOR
Grupi i këshilltarëve depoziton pranë sekretariatit të Këshillit Bashkiak kërkesën zyrtare për shkarkimin e kryetarit të shoqëruar edhe me relacionin përkatës. Kërkesa bazohet në nenin 62 gërma C të ligjit për ‘Vetëqeverisjen vendore’, që përcakton se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: c) propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore.
19 SHTATOR
Kryebashkiaku Veliaj i drejtohet me kërkesë Këshillit Bashkiak që të dëgjohet përpara se të merret vendimi për shkarkimin e tij, në respekt të parimit kushtetues të procesit të rregullt ligjor. “E mirëkuptoj shqetësimin tuaj për të kërkuar një zgjidhje politike. Por nuk mund të mirëkuptoj që kjo krizë, e shkaktuar nga gjykata dhe ku “viktimë” është vetëqeverisja vendore, të “zgjidhet” me një tjetër shkelje të Kushtetutës po nga vetë pushteti vendor”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë thotë se do ta mbrojë deri në fund kontratën e tij me qytetarët e Tiranës, duke e lënë të hapur ankimin në Gjykatë Kushtetuese të vendimit të mundshëm për shkarkim.
20 SHTATOR
Opozita i del në krah Erion Veliajt dhe mbështet kërkesën e tij për të qenë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Nënkryetari i grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike DorianTeliti shkruan në një postim në Facebook se kryebashkiaku “ka të drejtën të dëgjohet aty në sallë përpara të zgjedhurve vendorë të Kryeqytetit”. Por kjo nuk është arsyeja e vetme. Opozita “insiston që Veliaj të jetë aty, ballë për ballë, për t’i thënë atij dhe treguar qytetarëve disa të vërteta mbi korrupsionin dhe dëmet që ai i ka shkaktuar Tiranës në 10 vitet e fundit”.
22 SHTATOR
Veliajt i vjen një përgjigje e thatë nga Sekretari i Këshillit, Behar Zeneli. “Në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutemi që observacionet tuaja, t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje”, thuhej në përgjigjen e Zenelit. Veliaj reagon menjëherë dhe i kujton Këshillit se ai nuk ka asnjë njoftim zyrtar për zhvillimin e mbledhjes, shkaqet e shkarkimit apo materialet që e ngarkojnë me përgjegjësi. Ai këmbëngul se duhet të jetë vetë Këshilli që të shprehet për kërkesën e tij. “Mbetem në pritje të vendimmarrjes me votim nga ana e Këshillit Bashkiak, për garantimin e të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë në procesin e iniciuar për shkarkimin e tij.”, tha Veliaj.
23 SHTATOR
Me 50 vota pro këshilli bashkiak vendos të propozojë shkarkimin e Erion Veliajt, duke i ndërprerë atij mandatin e tretë në drejtimin e kryeqytetit. Socialistë e demokratë bëhen bashkë t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja në Tiranë. Të majtët, përpiqen të vënë në dukje se nuk po i bënin gjyqin kryetarit, e nuk po i mohonin kontributin, por se një hap i tillë imponohej nga nevoja urgjente dhe detyrimi politik e moral për të zgjidhur ngërçin e krijuar në Tiranë.
25 SHTATOR
Pas 10 vitesh në krye të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është zyrtarisht i shkarkuar. Qeveria, e drejtuar nga vetë Kryeministri Rama, vendos të pranojë propozimin e Këshillin Bashkiak për shkarkimin e Veliajt për shkak të mungesës mbi tre muaj në punë. Megjithëse edhe vetë kryeministri kishte pranuar publikisht se kuadri ligjor për rastin e Veliajt lë për të dëshiruar, qeveria zgjodhi t’i referohet po atij neni të ligjit për vetqeverisjen vendore, dhe jo Kushtetutës. Kryeministri do ta mbrojë publikisht vendimin.
29 SHTATOR
Veliaj nuk pajtohet me vendimin e qeverisë dhe bën ankimim në Gjykatën Kushtetuese, duke iu referuar nenin 115 të Kushtetutës që flet për shkarkim në raste të një shkeljeje të rëndë, duke parashikuar dhe pezullimin automatik të vendimit për shkarkim deri në një vendim të Gjykatës. Sipas Veliajt, shkarkimi nuk mund të bëhet mbi bazën e nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore. “Nëse do të pranohej e kundërta, atëherë do të kishim të bënim me një normë ligjore antikushtetuese, pasi ligjvënësi do të kishte shtuar një shkak të ri për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë.”, argumenton Veliaj.
30 SHTATOR
Kryeministri Edi Rama njofton presidentin e Republikës për krijimin e vakancave për kryetar bashkie në 6 qytete të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin. Ekspertë të kushtetutës, këmbëngulin se fakti që akti i qeverisë nuk i referohet nenit 115 të Kushtetutës për shkarkimin e të zgjedhurve vendor, nuk e shmang atë nga detyrimet e parashikuara nga ky nen, i cili në pikën 2 të tij parashikon se “Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet”, thuhet në nenin 115 .
1 TETOR
Presidenti Bajram Begaj dekreton 9 nëntorin si datë për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë pa kryetar. Në zgjedhje shkon edhe Tirana. Kreu i Shtetit, ndjek logjikën juridike të përdorur nga qeveria. Sipas tij, shkarkimi nga Këshilli i Ministrave për shkak të mungesës në detyrë për një periudhë tre mujore nuk hyn në juridiksionin kushtetues për të drejtën e ankimit, por në juridiksionin gjyqësor administrativ. Për pasojë, sipas tij, ankimimi i Veliajt në Gjykatën Kushtetuese nuk përbën pengesë për shpalljen e zgjedhjeve.
2 TETOR
Veliaj kundërpërgjigjet pa humbur kohë, duke paraqitur një shtesë në ankimimin e tij të parë në Gjykatën Kushtetuese kundër shkarkimit. Këtë herë ai kërkon pezullimin e dekretit të Begaj për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës përmes një sigurim padie. Garancinë thotë se ia jep kushtetuta të cilën Presidenti sipas tij e ka shkelur. “Presidenti, përmes dekretit objekt shqyrtimi, ka vepruar sikur kjo garanci të mos ekzistonte .Ky veprim përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në garancitë kushtetuese të një të zgjedhuri me votë të lirë, duke cenuar njëkohësisht: (i) të drejtën themelore për të mos u shkarkuar arbitrarisht dhe për t’iu garantuar një shqyrtim i plotë nga Gjykata Kushtetuese përpara se shkarkimi të prodhojë pasoja të pakthyeshme“, thuhet në ankimimin e Veliajt.
9 TETOR
Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Erjon Veliajt dhe pezullon dekretin e Presidentit Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë. Gjykata argumenton se zbatimi i dekretit do të sillte pasoja të pariparueshme për të drejtat e të zgjedhurit vendor për sa kohë çështja gjyqësore ndaj tij është ende në shqyrtim. Vendimi për botohet në fletoren zyrtare dhe merr fuqi ligjore. Presidenti Begaj reagon shkurt duke shkruar vetëm se e respekton vendimin e Kushtetueses.
31 TETOR
Erion Veliaj lë për herë të parë qelinë e paraburgimit të Durrësit dhe sillet në Tiranë për tu përballur me Këshillin e Ministrave dhe Presidencën, në një seancë që zgjati 7 orë. Veliaj dhe mbrojtja e tij ligjore kërkuan anulimin e vendimit të qeverisë, duke hedhur akuza për një proces të motivuar politikisht. Këshilli i Ministrave dhe Presidenca mbrojtën pozicionet e tyre duke thënë se kanë vepruar brenda kuadrit ligjor dhe duke kërkuar në fund shpalljen e moskompetencës për ankimin e Veliajt, që sipas tyre duhej t’i ishte drejtuar Gjykatës Administrative.