Rritja e kostove të jetesës në qiratë dhe çmimet e ushqimeve, te cilat tani janë mbi mesataren europianë po largojnë pensionistët e huaj që kishin zgjedhur vendin tonë për të jetuar.
Sipas të dhënave të INSTAT grup-mosha mbi 60 vjeç përfaqëson një pjesë të rëndësishme te të huajve në vendin tonë. Vitin e kaluar 3007 persona në këtë grup-moshë ishin me leje qëndrimi në vendin tonë më rënie 15.5% në krahasim me vitin 2023.
Ndonëse numri i përgjithshëm i të huajve me leje qëndrimi është rritur (nga 21,460 në 2023 në 21,940 vitin e kaluar), grup-mosha mbi 60 vjeç është tkurrur si në numër, ashtu edhe në përqindje.
Ulja e këtij grupi lidhet lëvizjen e pensionistëve të huaj drejt vendeve të tjera me kushte më të favorshme për qëndrime afatgjata ose me kosto më të ulët të jetesës.
Të dhënat tregojnë se profili i migracionit drejt Shqipërisë po bëhet më aktiv dhe më i ri në moshë, me rënie të komponentit “rezidencë e përhershme pas pensionit”.
Në grup-moshën deri në 19 vjeç, numri është rritur pak nga 1,891 në 2023 në 1,947 persona në 2024 persona çka përbën rreth 9% të totalit të emigrantëve në vendin tonë. Kjo kategori përfshin kryesisht fëmijë dhe të rinj që jetojnë në Shqipëri si pjesë e familjeve të huaja ose të prindërve që punojnë në vend. Pesha e qëndrueshme e këtij grupi tregon se flukset familjare nuk kanë ndryshuar ndjeshëm.
Grup-mosha 20–29 vjeç është rritur më shumë se çdo kategori tjetër, nga 3,811 persona në 2023 në 4,356 persona në 2024, ose 14%, duke zënë 20% të totalit të personave të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri. Kjo tregon një zgjerim të ndjeshëm të prurjeve të të rinjve, apo punonjës sezonalë apo studentë që po e shohin Shqipërinë si destinacion për studime, punë etj.
Në grup-moshën 30–39 vjeç vihet re gjithashtu një rritje e fortë vjetore me 11.7% me një numër total 5,395 persona në 2024. Kjo grup-moshë zuri 24% të totalit të emigrantëve. Kjo moshë përfaqëson kryesisht njerëz aktivë në tregun e punës, profesionistë që vendosen për periudha të mesme ose afatgjata për arsye ekonomike. Rritja e kësaj grupmoshe tregon se Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë të huaj në moshë pune, të cilët e shohin vendin si një hapësirë me mundësi punësimi ose investimi.
Në kategorinë 40–49 vjeç, numri i të huajve arriti në 4,283 persona në 2024 me zgjerim 10%. Edhe kjo grup-moshë përfshin individë aktivë profesionalisht, shpesh me përvojë të konsiderueshme, që mund të punojnë në sektorë si ndërtimi, energjia apo shërbimet financiare.
Grup-mosha 50–59 vjeç ka shënuar një rënie me 15%, çka tregon se të huajt e kësaj moshe nuk zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri, ndoshta për shkak të moshës afër daljes në pension./Monitor