Vdekja tragjike e të riut Mirel Çokaj, më 18 shtator të këtij viti në Malet e Kelmendit, në Malësinë e Madhe ka rikthyer në vëmendje fenomenin e rrënjosur thellë të kultivimit të kanabisit në Shqipëri, një plagë që vazhdon të prodhojë konflikte, krime dhe viktima.
Në një analizë të thelluar, gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, zbulon dimensionet komplekse të këtij problemi, nga historia e tij si një “brend kombëtar” deri te lidhjet e pandashme me politikën dhe pasojat shkatërrimtare për shoqërinë. Fillimisht e raportuar si një vdekje aksidentale gjatë gjuetisë, rasti i Mirel Çokajt shpejt ngriti dyshime të forta.
Të dhënat fillestare ishin kontradiktore: viktima nuk kishte armë gjahu dhe ndodhej larg vendlindjes së tij.
“Kjo gjë tërhoqi vëmendjen,” shprehet ai, duke shtuar se hetimi i tij personal zbuloi se Çokaj ishte i përfshirë në kultivimin e kanabisit dhe se vdekja e tij ndodhi pranë një parcele me rreth 980 rrënjë, pikërisht në momentin kritik të finalizimit të korrjes. Hoxha kritikon ashpër veprimet e policisë, duke i akuzuar për vonesa që u dhanë kohë kultivuesve të fshihnin gjurmët dhe të korrnin bimën narkotike.
“Vonesa që bëri policia u dha kohë që të zhduknin dhe këto elementë të tjerë,” thekson ai, duke e quajtur Çokajn “kurbanin e radhës” në një seri të gjatë viktimash të këtij biznesi të paligjshëm.
Përtej përfitimeve financiare për grupet kriminale, kanabizimi masiv ka lënë pas një plagë të thellë sociale. Artan Hoxha shpjegon se ky fenomen ka çuar në kriminalizimin e një numri të madh të rinjsh, të cilët u rekrutuan për të ruajtur parcelat.
Këto grupe të armatosura u shndërruan në bërthama për organizata më të fuqishme kriminale. Fillimisht, justifikimi ishte se droga ishte për tregun e huaj, por gradualisht u krijua një treg i fuqishëm i brendshëm. Hoxha i quan viktimat e këtij biznesi “kurbanët e kanabisit”, duke theksuar se çdo vit ka pasur humbje jetësh, qoftë për larje hesapesh, qoftë si pasojë e konflikteve për kontrollin e parcelave.
Ky fenomen, ka normalizuar krimin dhe ka rritur në mënyrë drastike agresivitetin në shoqëri dhe një seri të gjatë viktimash të këtij biznesi të paligjshëm.
Pjesë nga deklarata e Artan Hoxhes në studion e ‘Kafe Shqeto’
“Policia thoshte që personi në fjalë, ka humbur jetën aksidentalisht, në një shteg malor. Viktima është gjetur i shmangur 30 metra nga shtegu, pra nga rruga që ishte normale. Ai ka devijuar në 30 metra dhe pastaj ka rënë në një humnerë të thellë. Çuditërisht në atë humnerë, në atë vend ku kishte rënë ai, pra duhet duheshin kohë e gjatë që të gjendej. sepse s’kalonin njerëz aty, dhe nuk ka njerëz. Po si u gjet ai? U gjet sepse një shok i tij ishte interesuar, ndihej shumë i shqetësuar, po pyeste lart e poshtë, s’kam kontakt me të.
Pas 24 orësh, ai njofton policinë dhe policia shkon në vendin e ngjarjes, pikë fiks ku i kishte thënë personi dhe e gjen ëh kufomën e e viktimës atje. Çuditërisht aty nuk u gjet celulari, edhe pse dëshmitarë okularë thonë që ka patur celular.
Dhe policia duke parë edhe shtegun i ra shkurt dhe tha, ky personi aty ka humbur jetën aksidentalisht. Ka rrëshkitur dhe ka rënë në humnerë.
U vura në kontakt me fillimisht me familjarë dhe të afërm të tij. Ai nënës vetë i kishte thënë që po shkoj në Mal të Zi, në Budva dhe po punoj në Budva, se s’e dinte familja. Në fakt, ditën që ka ndodhur ngjarja, ai ka folur fillimisht me të dashurën, në orë diku rreth orës 6:00 të mëngjesit dhe pastaj ka folur me nënën e vet.
Nga informacionet që grumbullova më rezultoi që ky ishte një person që kishte precedent në fushën e narkotikëve. Pra ishte marrë dhe më përpara, kishte kryer dhe burgim, po kishte pesë vjet që punonte në këtë zonë. Dhe kishte një grup personash. Me grupin që punonte, që ka punuar këtë vit, kishte dhe një vit tjetër. Tre vitet e tjera ka qenë me një grup tjetër.
Ata janë bërë një grup shokësh. Kishin mbjellë diku te 980 rrënjë. E kishin kultivuar në një zonë malore.
Ngjarja ka ndodhur shumë pranë finalizimit të korrjes së bimës. Pra kur ndahen të ardhurat. Po të shikosh në ato pamjet që unë kam siguruar atje, kemi vendin ku është mbjellë, që tregon sa e thellë është zona. Eshtë e vështirë ta zbulosh, pra me sy të lirë. Së dyti, aty është infrastruktura që ata kanë krijuar. Ata kishin paguar dhe një shofer aty që i çonte.
Parcela u gjet 20 ditë më pas. Deri në atë moment çështja vazhdonte të ishte vdekje aksidentale. Kini parasysh që ne vajtëm mbasi policia me këtë motivin e vdekjes aksidentale, u la koha atyre që të fshinin gjurmët, të kornin kanabisin, të asgjësonin infrastrukturën.
Në momentin që kanë dalë pamjet, atëherë prokuroria ka filluar hetimin për kultivimin e kanabisit dhe dyshimin për vrasje.
Tani ndodhemi në një fazën që hetimet nuk duhet të zgjaten kaq shumë sepse prapë u jep kohë atyre që kanë organizuar këtë ngjarje që të fshehin gjurmët. Me sa di unë deri tani janë marrë deklarimet e të motrës së viktimës. Celulari nuk është gjetur. Unë kam bindjen që ai, ai në atë zonë nuk lëvizte pa celular.
Madje në raste të ngjashme, por edhe në edhe në këtë rast, se aty s’ka pasur rrjet elektrik për të karikuar celularët, ata përdorin disa panele të vogla diellore që i përdorin si karikues.
Jo vetëm e kriminalizuam rininë, po e çuam në një nivel kriminalizimi shumë të lartë dhe shumë agresiv. Dhe kjo dalëngadalë krijoi pastaj dhe problemin tjetër të viktimave. Fillimisht ishin për larje hesapesh dhe pastaj filluam çdo vit, unë i quaja kurbanët e e kanabisit. Çdo vit nuk ka patur një vit që nuk ka marrë jetë njerëzish.
Çdo vit nuk ka patur një vit që nuk ka marrë jetë njerëzish. Dallimi është a ka marrë shumë, apo ka marrë pak. Dhe me kalimin e kohës, meqënëse ne tani merremi me tonelatat e kokainës që lëvizin nga kontinenti i Amerikës së Jugut, kjo duket si një gjë normale. Po ka një gjë po ta shikosh, është një fenomen i cili nuk ndalon.
Herë pas here për shkak edhe të konjukturës, çmimit, duket që ka pak rënie, pra kur bie çmimi. Por çuditërisht, ajo është vazhdimisht, është në në aktivitet. Nuk jemi më në kohën e atyre avionëve që na binin njëri në Divjakë, në Ishëm apo në Kelmend,
Por sivjet, meqë ishte dhe vit zgjedhor, kultivimi ka qenë kryesisht i hapur, pra në sipërfaqe të mëdha, në qarkun e Shkodrës, në zonën e Krujës, edhe në qarkun e Lezhës. Edhe në qarkun e Fierit sigurisht.
Po flas për sasi të mëdha ku janë kapur dhe operacione janë përqëndruar aty. Sepse monitoruesit italianë të Guardia di Finanza-s kontrollin e bëjnë me helikopter. Se helikopteri lëviz dhe më avash. Jo se s’ka policia dron, policia i ka dronët për t’i lëvizur këtu, po dronët lëvizin ku e drejton. Kurse ai helikopteri italian ka një drejtim tjetër domethënë dhe ai evidenton disa gjëra që s’duan t’i evidentojnë dronët.