“Isha pranë arrestimit në…”/ Ilir Meta: Ministrat e Berishës bënë gjithçka që unë të burgosesha

Presidenti i PL-së Ilir Meta i cili prej më shumë se prej një viti ndodhet në qeli, ka zbuluar në një intervistë televizive se në vitin 1992 ka qenë pranë arrestimit, pasi iu hoq imuniteti.

Meta tha se Prokurori i Përgjithshëm në atë kohë, Maks Haxhia nuk pranoi të firmoste arrestimin e tij dhe se Pashk Tusha nuk pranoi të firmoste një dëshmi të rreme kundër tij.

Po ashtu Meta ka deklaruar se ishin ministrat e të Brendshëm dhe të Mbrojtjes bënë gjithçka që ai të burgosej.

“Në shtator 1992 ata donin të më arrestonin mua që isha vetëm 23 vjeç dhe më hoqën imunitetin për një vit derisa arrestuan Nanon.

Nëse nuk u burgosa atëherë kjo ndodhi sepse Prokurori i Përgjithshëm, Z. Maks Haxhia nuk pranoi të firmoste për arrestimin tim dhe po kështu sepse një drejtues politike me shumë integritet në atë kohë si Z. Pashk Tusha, nuk pranoi të firmoste një dëshmi të rreme kundër meje, ndërkohë që një drejtues policie nga Skrapari e kishte bërë një palaçollëk të tillë.

Nuk them se gjithë ajo histori ishte e trilluar nga Berisha, por ministrat e tij të Brendshëm dhe të Mbrojtjes bënë çdo gjë për të më burgosur mua vetëm për poshtërimin që populli i Poliçanit i kishte bërë dhunës së forcave special.

Nano kur ishte në burg tha një fjali kuptimplote se çdo politikan duhet të bëjë burgun e tij dhe unë po e bëj plot vetëbesim për të ardhmen time dhe të vendit tim.

Më mirë këtu në qelinë numër 5 të vendit tim se kudo tjetër në botë”, tha Meta në intervistën e tij për Syri Tv.

Next