Roman Novak nga Shën Petersburgu, themeluesi i një platforme kriptomonedhash, dhe gruaja e tij Anna janë gjetur të vdekur në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Familja e tyre raportoi zhdukjen e çiftit rreth një muaj më parë pasi humbën kontaktet me ta.
Sipas faqes ruse Fontanka, çifti u vranë në një vilë me qira në rajonin Hatta, pranë kufirit me Omanin, ku u “joshën” me pretekstin se do të takoheshin me investitorë potencialë.
Motivi i mundshëm për krimin duket se ka qenë zhvatja. Sipas Deutsche Welle, Roman Novak ishte i njohur për krijimin e platformës Fintopio, e cila ofronte transferta të shpejta kriptomonedhash.
Ai kishte tërhequr rreth 500 milionë dollarë investime përpara se të zhdukej me paratë, duke i lënë punonjësit e tij pa pagesë, ndërsa investitorët, përfshirë biznesmenë kinezë dhe të Lindjes së Mesme, humbën paratë e tyre.
Për të tërhequr investitorë në projektin e tij, ai pretendoi se kishte lidhje me princat arabë dhe themeluesin e Telegram Pavel Durov, megjithëse ky i fundit e mohoi. Në nëntor 2020, Novak u dënua me gjashtë vjet burg për përvetësim të 100,000 dollarëve nga partneri i tij.
I vranë dhe i copëtuan
Sipas informacioneve, autorët dyshohet se kërkuan të fitonin akses në portofolin e kriptomonedhave të Novak, në të cilin, siç besonin ata, ruheshin miliarda dollarë.
Megjithatë, portofoli rezultoi të ishte bosh. Pas kësaj, çifti u vra, trupat e tyre u copëtuan dhe pjesët e trupit të tyre u vendosën në qese. Qeset u gjetën në kazanë të ndryshëm pranë një qendre tregtare në rajonin Khata.
Komiteti Hetimor Rus njoftoi se kishte hapur një çështje penale për vrasjen e tyre. Sipas autoriteteve, çifti u nis më 2 tetor për t’u takuar me “investitorë të panjohur” në rajonin Khata.
Shoferi i la ata pranë një liqeni, nga ku hipën në një automjet tjetër dhe ikën duke u zhdukur pa asnjë gjurmë.
Sipas Fontanka, policia ka arrestuar tetë persona, të paktën tre prej të cilëve janë nga Shën Petersburgu.