Kryetari i bashkisë së Fort Lauderdale në Florida, Dean Trantalis, 72 vjeç, ka dëshmuar se ish-i dashuri i tij, 34-vjeçari Daniel Curran, e hodhi përtokë gjatë një sulmi të dhunshëm të dyshuar jashtë rezidencës së tij rozë me vlerë rreth 1 milion dollarë.
Trantalis u paraqit virtualisht në Gjykatën e Qarkut Broward për të dëshmuar kundër Curran, i cili u arrestua të mërkurën dhe u akuzua për shkelje të një urdhri gjyqësor për dhunë në familje, si dhe për dhunë ndaj një personi mbi 65 vjeç.
Sipas mediave amerikane, Trantalis kishte anuluar më herët urdhrin e mbrojtjes, duke e përshkruar marrëdhënien e tyre si një “situatë shumë të komplikuar”. Ai tha se në kohën e sulmit ishin përpjekur të rilidhnin marrëdhënien, pasi donte ta ndihmonte Curranin të rehabilitohej dhe të ndiqte trajtim për shëndetin mendor.
“Dështova në këtë,” deklaroi kryebashkiaku para gjykatës. “Fundjavën e kaluar, ai më hodhi përtokë. Ai kreu çdo akt të dhunës të përmendur në raport dhe atëherë kuptova se nuk kishte më shpresë për këtë marrëdhënie”.
Sipas raportit të policisë, çifti kishte nisur të dilte në mars dhe më herët kishin jetuar së bashku. Ngjarja ndodhi të shtunën, kur Curran dyshohet se e shtyu Trantalisin “me të dyja duart”, duke bërë që kryebashkiaku të përpiqej ta zmbrapste në shtëpinë e tij. Më pas, Curran e kapi nga këmba dhe e tërhoqi përtokë, duke e zvarritur për rreth 4.5 metra përgjatë rrugës.
Trantalis pësoi lëndime në kyçin e dorës, këmbën e majtë dhe gjurin e djathtë, raportoi Local 10 News.
Gjykatësi caktoi një garanci prej 6,000 dollarësh për Curranin, ndërsa i ndaloi atij çdo kontakt me kryebashkiakun dhe hyrjen në shtëpinë e tij. Curran nuk lejohet gjithashtu të mbajë armë, por e ka paguar shumën e garancisë.
Zyra e Prokurorit të Qarkut Broward ka kërkuar që çështja të transferohet në një juridiksion tjetër, pasi Fort Lauderdale ndodhet brenda të njëjtit qark.
Në rrjetet sociale, Curran përdorte emrin DannyTrantalis në Instagram, duke u prezantuar si “zotëria i parë i Fort Lauderdale”. Ai pretendonte gjithashtu se ishte artist, krijues, katolik, kalorës, neurolog, kujdestar, ambasador dhe “sonik”.
Vetëm tre ditë para incidentit, ai kishte postuar se kishte kaluar një “darkë të qetë” me Trantalisin, ku kishin gatuar pulë në skarë dhe makarona. Ai kishte shpërndarë edhe foto të tyre gjatë panairit të varkave në tetor dhe një udhëtim në Paris gjatë verës.
“Daily Mail” ka kontaktuar Trantalis për një koment mbi ngjarjen, por ai nuk ka dhënë ende një përgjigje.