Rama: 15 milion euro ekstra për pacientët me kancer

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të shtunë një lajm në lidhje me sëmundjen e kancer, duke thënë se do të jenë 15 milion euro ekstra në buxhetin e shtetit në shërbim të pacientëve të Onkologjikut.

“Duke u ndalur te lufta me kancerin dhe nevoja për barnat e shtrenjta që kërkon kjo luftë. Për herë të parë hapim një linjë financimi nga buxheti i shtetit vetëm për këtë nevojë jetike, duke futur 15 milion euro ekstra në shërbim të pacientëve të Onkologjikut. Shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin do të jepet i plotë dhe falas,” tha ai.

Rama tha se Ministrja e Shëndetësisë është shpallur ndër 100 gratë më influente në mjekësinë botërore për çështje në kancer dhe do të udhëheqë projektin kombëtar për ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve për Shqipërinë 2030, një institucion i ri ekselence që do t’i bashkohet rrjetit ndërkombëtar të instituteve që luftojnë me kancerin.

Po ashtu kryeministri Rama dha lajmin se do të ketë rritje të tjera page për punonjësit e shëndetësisë.

“4,600 mjekë, infermierë dhe farmacistë, si dhe 14,200 teknikë dhe laborantë do të përfitojnë një rritje të re pagash, që është një mesazh i qartë për gjeneratën e re të bluzave të bardha se në Shqipëri qendrohet dhe punohet me dinjitet. Shqipëria 2030 do të bëhet vendi ku ikja do të jetë thjesht zgjedhje individuale, jo imponim nga pamundësia për të qëndruar dhe punuar këtu,” tha Rama.

Next