Lul Berisha lë qelinë, ndërron jetë babai i kreut të Bandës famëkeqe të Durrësit, Operacionalja e Burgjeve do e shoqërojë në varrim

Lulzim Berisha, ish-kreu i Bandës famëkeqe të Durrësit, do të lërë pas pak minutash qelinë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij. Mësohet se ai ka ndërruar jetë dhe pasditen e sotme, do të prehet në varrezat e Durrësit.

54 vjeçari që akuzohet për disa ngjarje e akuza të rënda, është njoftuar nga familjarët për vdekjen e të atit, dhe menjëherë përmes avokatit ka kërkuar leje të posaçme.

Drejtoria e Burgjeve e ka pranuar atë dhe ka vendosur që ish-kreu i Bandës së Durrësit të dalë sot nga qelia për rreth 3 orë e 30 minuta dhe t’i japë lamtumirën e fundit babait të tij. Ai do të shoqërohet nga forca të rrepta të Policisë së Burgjeve dhe ato të Policisë së Shtetit.

Në te tilla ngjarje, aktivizohet dhe Njësia Operacionale e Policisë së Burgjeve, efektivët e së cilës shoqërojnë të dënuarin në çdo moment dhe kujdesen që në zbatim të afateve të lejes, ai të kthehet sërish në ambientet e vuajtjes së dënimit apo izolimit.

Lulzim Berisha, sipas asaj që është bërë publike, do të lërë qelinë në orën 12:30 të kësaj të shtune dhe duhet të kthehet deri në orën 16:00 në vendin e vuajtjes së dënimit, në Burgun e Durrësit.

Në vitin 2020, atij i është caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana cilësuese”, kundër 2 ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal. Në bashkëpunim me shtetas të tjerë, 54-vjeçari dyshohet se:

-në vitin 2004, ka plagosur me armë zjarri, shtetasit V. L. dhe Xh. N.;

-në vitin 2005, në afërsi të fshatit Koxhaj, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin Klodian Saliu dhe ka plagosur shtetasin O. T.;

-në vitin 2005, ka vrarë shtetasit Vajdin Lame dhe Artan Arsi, me lëndë shpërthyese të vendosur në kabinën e një ashensori.

Next