Një studim i realizuar nga një institut amerikan në radhët e votuesve socialistë tregon rënie të fortë besimi ndaj Edi Ramës, mungesë komunikimi me bazën dhe rritje të mbështetjes për Veliajn e Ballukun…
Në një sondazh të kryer nga një institut politik amerikan në mesin e militantëve dhe votuesve të PS-së, rezulton se Edi Rama po humbet mbështetjen brenda partisë që e mban në pushtet. Socialistët e shohin Ramën të shkëputur nga baza, të distancuar nga strukturat dhe të paaftë për të marrë përgjegjësi. Erion Veliaj dhe Belinda Balluku renditen më të besuarit në terren, ndërsa militantët kërkojnë që PS të mbrojë figurat e veta nga sulmet e SPAK-ut.
Prej disa ditësh, në radhët e Partisë Socialiste po qarkullon një sondazh i brendshëm i realizuar nga një nga institutet më të njohura politike amerikane, i cili ka shkaktuar shqetësim serioz në selinë rozë.
Në pamje të parë, nuk bëhet fjalë për një sondazh elektoral klasik me pyetje “po” ose “jo”, por për një studim psikologjik të temperaturës politike brenda mazhorancës; një test për perceptimin që kanë vetë socialistët ndaj lidershipit të tyre.
Rezultatet janë të qarta dhe alarmuese për kryeministrin:
Edi Rama ka humbur besimin e bazës së Partisë Socialiste, sidomos të militantëve aktivë.
Sipas raportit, socialistët e shohin Ramën “të ftohtë, të distancuar dhe të mbyllur në një rreth të vogël njerëzish pa lidhje me strukturat reale të partisë”.
Një pjesë e madhe e të pyeturve kanë pranuar se “nuk e kanë parë më Ramën në asnjë takim organizativ të partisë”, ndërsa mbledhjet e fundit janë përshkruar si “shfaqje me regji qendrore”, të kontrolluara deri në detaj nga kryeministria.
Në anën tjetër, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku renditen si figurat më të pëlqyera dhe më të afërta me elektoratin socialist.
Në shumicën e qarqeve, veçanërisht në Tiranë dhe jug, ata perceptohen si “politikë më njerëzorë dhe më të aksesueshëm se Rama”.
Madje, një pjesë e konsiderueshme e militantëve i konsiderojnë hetimet ndaj tyre si “sulm politik”, duke kërkuar që PS t’i mbrojë publikisht në vend që t’i izolojë.
Përgjigjet tregojnë se baza socialiste nuk e sheh më Ramën si mburojë politike të partisë, por si figurë që ruan vetëm imazhin personal.
Një element interesant i sondazhit është krahasimi me liderët e opozitës.
Socialistët e anketuar e vlerësojnë Sali Berishën për faktin se “mbron njerëzit e vet”, ndërsa Rama perceptohet si njeri që “sakrifikon bashkëpunëtorët për të shpëtuar veten”.
Ky kontrast është përmendur nga shumica si arsyeja pse militantët kanë filluar të humbasin motivimin për të mbrojtur publikisht qeverinë, ndonëse opozita mbetet e dobët dhe e përçarë.
Sondazhi nuk përfshin vetëm PS-në, por edhe kampin opozitar.
Në PD, gjithashtu, ka humbje besimi ndaj lidershipit të Berishës, por tek socialistët, zhgënjimi për Ramën është më i thellë sepse lidhet me perceptimin e një qeverie që nuk dëgjon, nuk shpërblen dhe nuk mban përgjegjësi.
Raporti përfundimtar, që po qarkullon në qarqet diplomatike në Tiranë, e përmbledh situatën me një fjali të vetme:
“Lidershipi politik shqiptar është i shkëputur nga njerëzit, dhe besimi tek figurat aktuale është në rënie të pakthyeshme.”
Në analizën që i bashkëngjitet pjesës për PS-në, theksohet se për herë të parë që nga viti 2013, Edi Rama nuk ka më kontroll moral mbi bazën e partisë.
Në qytetet kryesore, militantët e konsiderojnë kryeministrin “larg strukturave dhe i painteresuar për njerëzit që i dhanë fitoren”.
Në periferi, kjo ndjesi është edhe më e fortë: PS shihet si një administratë e ftohtë, jo si një familje politike.
Sipas burimeve nga brenda mazhorancës, Edi Rama është në dijeni të plotë të këtij sondazhi.
Pikërisht për këtë arsye, në zgjedhjet e fundit ai doli i pari në listë në qarkun e Tiranës, për të rikthyer kontaktin e humbur me bazën, por rezultati ishte zhgënjyes:
PS mori më pak vota se në zgjedhjet e kaluara, dhe fitorja u sigurua vetëm falë rënies së opozitës.
Në analizën e institutit, evidentohet edhe një faktor kulturor: socialistët janë ndjerë të fyer nga mosmirënjohja e Ramës për strukturat që i dhanë fitoren.
Ky “deficit emocional”, siç quhet në raport, është shndërruar në “plasaritjen më serioze në marrëdhënien mes liderit dhe partisë së tij që nga viti 2013”.
Sipas ndërkombëtarëve, Rama është sërish duke përdorur taktikën e tij klasike të “kurbanëve”, duke sakrifikuar njerëzit më të ekspozuar për të ruajtur pushtetin.
Por, siç vëren raporti, “kësaj here, efekti mund të jetë i kundërt”: baza nuk është më e gatshme të besojë në spastrimet si shenjë morali, por i lexon ato si shenjë frike dhe humbje kontrolli.
Në përfundim, sondazhi është më shumë se një matje statistikore; është diagnoza e krizës së brendshme të PS-së.
Partia që prej një dekade sundon e bashkuar, sot po përballet me të njëjtën ndjenjë që rrëzoi dikur kundërshtarët e saj: lodhje, distancë dhe mungesë shprese./Pamfleti