Miliarderi Behgjet Pacolli në një intervistë për emisionin “Opinion” ka sqaruar akuzat dhe pretendimet për Aeroportin e Vlorës, i cili kohën e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të një procesi hetimi. Begjet Pacolli u shpreh se nuk ka paguar asnjë ryshfet për të nënshkruar konktratën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Sakaq, Behgjet Pacolli tha se është ndjerë jashtëzakonisht i fyer nga epitetet e njerëzve dhe shtoi se qëllimi i tij i vetëm ka qenë për të lënë një trashëgimi, një ndërtim të bukur në Shqipëri. Biznesmeni i njohur theksoi më tej se nuk ka asnjë ortak nga qeveria shqiptare për Aeroportin e Vlorës.
“Shumë epitete më kanë vendosur në këto ditë. Jam ndjerë jashtëzakonisht i fyer, prej epiteteve ndaj njerëzve që iu kam bërë tepër mirë dhe njerëzve që janë të paditur, që vetëm kanë folur duke karakterizuar një person, pa e njohur. Nuk kam përfituar nga askush, vetëm kam kontribuar për t’ju ndihmuar njerëzve, 147 milionë euro kam investuar në Shqipëri dhe në Kosovë.
Nuk jam ortak me asnjë qeveritar në Shqipëri në Aeroportin e Vlorës. Kam vetëm një partner dhe është një firmë nga Kosova dhe ai është aty me 2 përqind. Nuk kam pasur asnjë shenjë, asnjë indicie, që dikush mund të pretendojë ato aksione që kam unë, që janë 98 përqind të aksioneve në Vlorë.
Nuk kam paguar asnjë ryshfet për të nënshkruar kontratën për ndërtimin e Vlorës. Unë kam dashur të le thjesht një ndërtim të bukur në Shqipëri. Nuk kam nënshkruar asgjë. Jam aksionar në kompani dhe kam mbështetur vëllezërit e mi.”-tha Pacolli.